Homofobia shpallet krim në Brazil
Një lajm pozitiv vjen nga Brazili përsa i përket avancimit të mëtejshëm në fushën e të drejtave të komunitetit LGBTI.
Edhe pse muajt e fundit Brazili është ndeshur me kritika të shumta për shkak të politikave regresive dhe diskriminuese të presidentit Bolsonaro, Gjykata Supreme Federale ka shpallur tashmë homofobinë si një krim të dënueshëm nga kodi penal i vendit.
Me 6 vota pro nga 11 gjyqtarë, homofobia është një krim ekuivalent me racizmin dhe dënohet me burg.
Vendimi erdhi pas rasteve të përsëritura të vrasjeve të pjesëtarëve të komunitetit LGBTI, aktivistëve dhe krimeve të tjera të frymëzuara nga homofobia dhe intoleranca në vend. Gjatë këtij viti janë raportuar mbi 141 vrasje e qindra raste të ngacmimeve, dhunës e diskriminimit.
Prej gati 20 vitesh aktivistët janë përpjekur për kriminalizimin e homofobisë, por kanë ndeshur rezistencë nga Kisha Katolike dhe grupet konservatore në politikë.
Pavarësisht qeverisjes ultra-konservatore dhe faktit se Brazili është vendi me popullsinë më të madhe katolike në botë, kryetari i Gjykatës Supreme e konsideroi situatën e krimeve ndaj komunitetit LGBTI në vend si një epidemi dhune dhe urrejtjeje, të cilën shteti nuk mund të vazhdojë të injorojë.
Vendimi u shoqërua me reagime të ashpra nga grupimet e djathta dhe politikanë përkrahës së presidentit Jair Bolsonaro, pas fitores së së cilit është rritur retorika e urrejtjes dhe intolerancës në vend. /k.j