Homofobia i kushton miliarda dollarë vendeve anti gej
Sipas një raporti të ri, vendet me ligje anti – gej po humbasin miliarda dollarë në turizëm, investime dhe ndihma ndërkombëtare.
Raporti, Kostoja Ekonomike e Homofobisë(The Economic Cost of Homophobia), u lançua në Shtëpinë e Lordëve të martën nga Fondacioni Peter Tatchell.
Kostoja ekonomike e homofobisë përdor të dhëna nga 71 shtetet që vazhdojnë të kriminalizojnë personat LGBT dhe analizon ndikimet financiare të legjislacionit anti-gej.
Në lançimin e tij, Peter Tatchell tha se raporti i Fondacionit u përqëndrua në ndikimin ekonomik, sepse më parë ai kishte kuptuar se argumentet financiare ishin më bindëse për disa, sesa aspektet e të drejtave të njeriut.
Raporti u përqëndrua në një numër fushash kryesore, duke përfshirë turizmin, emigracionin, investimet dhe ndihmën ndërkombëtare.
Sipas Organizatës Botërore të Turizmit, industria e turizmit LGBT ka vlerë mbi 211 miliardë dollarë, shumica e të cilave është shpenzuar në vendet me qëndrime pozitive për të drejtat LGBT, veçanërisht në Australi, Britani të Madhe, Kanada, Francë dhe SHBA.
Raporti vazhdon të përdorë Ugandën si një shembull të ndikimit që legjislacioni anti-gej mund të ketë në një ekonomi.
Raporti thekson se kur parlamenti i Ugandës miratoi ligjin kundër Homoseksualitetit në vitin 2013, disa qeveri tërhoqën ndihmat ndërkombëtare.
Shumë persona LGBT, përfshirë ata që janë shumë të arsimuar, gjithashtu emigrojnë nga vendet me ligje anti-LGBT nëpër vende më pranuese, duke larguar risitë dhe ekspertizën nga vendet e tyre.
Raporti shton se sipas shifrave të Home Office (përgjegjëse për emigracionin, sigurinë, ligjin dhe rendin në Angli), kërkesat e azilit nga personat LGBT për shkak të homofobisë apo ligjeve anti-LGBT janë rritur me 400 përqind brenda viteve të fundit.
Fondacioni Peter Tatchell tha gjatë lançimit të raportit: “Ligjet anti-LGBTQ paraqesin jo vetëm vështirësitë sociale dhe ekonomike për individët LGBTQ, por ekzistenca e tyre pengon zhvillimin më të gjerë ekonomik dhe prosperitetin afatgjatë të një kombi”.
71 vende vazhdojnë të kriminalizojnë marrëdhëniet brenda gjinisë së njëjtë, 36 prej të cilëve janë anëtarë të Commonwealth.
Aktivistët kanë theksuar se këto ligje të Commonwealth-it janë kryesisht të imponuara gjatë epokës britanike koloniale që nuk u shfuqizuan kurrë.
Më shumë se një miliard njerëz jetojnë nën ligjet anti – gej në Commonwealth.
Duke folur në Takimin e Qeverisë së Kryetarëve të Comonwelthit (CHOGM) në prill, Theresa May u tha krerëve, se Britanisë së Madhe “i vjen thellësisht keq” për trashëgiminë e ligjeve anti – gej që ka lënë.
May tha: “Në të gjithë botën, ligjet diskriminuese të bëra shumë vite më parë vazhdojnë të ndikojnë jetën e shumë njerëzve, duke kriminalizuar marrëdhëniet brenda gjinisë së njëjtë dhe duke mos mbrojtur gratë dhe vajzat.
“Unë jam shumë e vetëdijshme se këto ligje shpesh janë vënë nga vendi im. Ata ishin të gabuar atëherë dhe janë të gabuar edhe tani.
“Si Kryeministre e Mbretërisë së Bashkuar, më vjen keq për faktin se ligje të tilla janë miratuar dhe trashëgimia e diskriminimit, dhunës dhe madje edhe vdekjes vazhdon edhe sot”./A.A.