Greqia bëhet vendi i 26-të evropian që njeh partneritetet e të njëjtit seks
Parlamentarët grekë miratuan dje një ligj të ri të partneritetit civil, i cili do të njohë për herë të parë ligjërisht çiftet e të njëjtit seks. ILGA-Europe dërgoi urimet e saj për të gjitha organizatat LGBT dhe politikanët të cilët kanë kontribuar për këtë rezultat historik. Midis 249 parlamentarëve të pranishëm, 194 votuan pro këtij ligji dhe 55 votuan kundër.
Koncepti i partneritetit të regjistruar ka ekzistuar në Greqi që nga viti 2009, por ishte vetëm në dispozicion të çifteve heteroseksuale; kjo u deklarua diskriminuese nga ana e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Si rezultat i votës së djeshme, çiftet e të njëjtit seks tani do të përfitojnë shumë të drejta dhe mbrojtje që më parë ishin vetëm për çiftet e martuara. Këto të drejta përfshijnë trashëgiminë, por ligji i ri nuk përfshin aftësinë për të aplikuar për adoptim të përbashkët. Projekt-ligji gjithashtu zgjeroi mbrojtjen anti-diskriminim në bazë të orientimit seksual dhe identitetit gjinor.
“Ky është realizimi i shumë viteve premtimesh politike. Qeveritë e mëparëshme greke kanë folur për njohjen ligjërisht të çifteve të të njëjtit seks dhe unë jam e kënaqur që më në fund këto fjalë pozitive u përkthyen në ndryshim kuptimplotë për çiftet në Greqi. “, tha Joyce Hamilton, bashkë-kryetare e Bordit Ekzekutiv të ILGA-Europe.
Evelyne Paradis, Drejtore Ekzekutive e ILGA-Europe, komentoi mbi rezultatin: “Ky është edhe kulmimi i punës së viteve të tëra fushate avokimi të shoqërisë civile. Pasioni i lëvizjes greke LGBTI ishte i dukshëm në Konferencën tonë vjetore që u zhvillua kohët e fundit në Athinë – ky rezultat është një shpërblim për këtë bindje”.
Pas premtimit parazgjedhor të SYRIZA-s për të njohur çiftet e të njëjtit seks, një projektligj u botua në qershor. Një draft i rishikuar i këtij projektligji u lëshua nga ministria e drejtësisë në nëntor.
Në Konferencën vjetore të ILGA-Europe 2015 në Athinë, ministri i drejtësisë Nikos Paraskevopoulos përsëriti angazhimin e qeverisë për miratimin e legjislacionit të partneritetit civil. Ministri dha garanci publike se ligji do të jetë i hapur për konsultim brenda ditëve të konferencës.
Përveç kësaj, përfaqësues nga të gjitha partitë kryesore parlamentare nënshkruan një premtim të detajuar të barazisë, i cili përfshinte një premtim për të përmirësuar ligjin mbi njohjen juridike gjinore. Është e rëndësishme që qeveria të fillojë të bëjë përparim në këto çështje dhe ILGA-Europe pret me padurim të punojë me qeverinë greke në vitin 2016 për shqetësimet e përmendura në këtë dokument./A.A.