Gratë që mbrojnë të drejtat e personave LGBT në Rumani
Gjykata Evropiane për Drejtësi vendosi të martën se çiftet e martuara të të njëjtit seks kanë të njëjtat të drejta sipas legjislacionit të BE-së për lirinë e qëndrimit. Dy avokatet rumune që qëndrojnë pas këtyre rasteve kanë luftuar paragjykimet në Rumani për 18 vjet.
Çiftet e martuara të të njëjtit seks kanë të njëjtat të drejta në legjislacionin e lirisë së qëndrimit të BE-së njësoj si çiftet e martuara heteroseksuale, edhe nëse martesa e gjinisë së njëjtë nuk lejohet në vend, vendosi Gjykata Evropiane e Drejtësisë të martën.
Çështja u paraqit nga një shtetas rumun, Adrian Coman dhe bashkëshorti i tij amerikan, Robert Clabourn Hamilton, të cilët u martuan në Belgjikë në vitin 2010.
Autoritetet rumune refuzuan të lëshonin dokumentet e nevojshme për të lejuar Hamiltonin të punonte dhe të qëndronte përgjithmonë në Rumani me bashkëshortin e tij, sepse ai nuk mund të klasifikohej në Rumani si bashkëshorti i një shtetasi të BE.
Rumania nuk njeh martesën brenda gjinisë së njëjtë dhe çështja e ka polarizuar shoqërinë Rumune këto vitet e fundit.
Koalicioni për Familjen, një bashkim organizatash të motivuara nga feja, arriti në vitin 2015 të mblidhte mjaftueshëm firma për të paraqitur një projektligj për të ndryshuar kushtetutën, në mënyrë që martesa të ripërcaktohet si “bashkimi midis një burri dhe një gruaje.”
Dy gratë rumune, të dyja avokate për të drejtat e njeriut, të cilat përfaqësuan Coman dhe Hamilton në Gjykatën Evropiane për Drejtësi, dhanë një intervistë në revistën lokale “Decat o Revista”, në të cilën shpjeguan sfidat e mbrojtjes së komunitetit LGBT për 18 vjet në një prej vendeve më konservatore të Evropës.
Iustina Ionescu, 37 vjeç, dhe Romaniţa Iordache, 42 vjeç, kanë përfaqësuar Adrian Coman dhe Robert Clabourn Hamilton, një çift rumuno-amerikan që u martuan në Belgjikë në vitin 2010, përpara gjykatave të ndryshme në Rumani dhe Evropë që nga viti 2012, kur Coman paditi shtetin për mos lejimin e bashkëshortit të tij për leje qëndrimi.
Ionescu dhe Iordache kanë punuar në çështjet që kanë të bëjnë me të drejta të barabarta për komunitetin LGBT në Rumani që nga viti 2000. Ato punojnë si vullnetare për Accept Rumania, një organizatë që mbron të drejtat e barabarta për komunitetin LGBT.
Vendi është renditur nga ILGA Europe i 25-ti nga 28 vende anëtare të BE-së në aspektin e klimës sociale, të drejtave dhe barazisë së shanseve për pakicat seksuale.
Të dyja gratë kanë punuar pro bono në qindra raste gjatë këtyre viteve dhe kanë mbledhur 500 faqe dokumente duke pritur që një gjykatë të nxjerrë një vendim. Shumë nga rastet synojnë jo vetëm të fitojnë në gjykatë, por edhe të ndryshojnë legjislacionin dhe të parandalojnë abuzimet dhe diskriminimin.
Rastet si ai i Hamilton dhe Coman duken të lehta në krahasim me personat LGBT të abuzuar që dy avokatet kanë përfaqësuar gjatë këtyre viteve: viktima të përdhunimit sistematik në burgjet rumune ose viktima të hetimeve të vonuara të policisë në rastet e agresionit bazuar në orientimin seksual.
Të dyja avokatet e shohin Koalicionin për Familjen si një kërcënim për të drejtat e njeriut.
“Nëse Koalicioni për Familjen nuk do të ekzistonte, unë jam e sigurt se në këtë moment do të isha vullnetare për një tjetër organizatë, sepse ACCEPT nuk do të kishte nevojë për ndihmën time”, tha Iordache.
Ajo gjithashtu tha se nëse organizata arrin qëllimin e vet dhe kushtetuta e Rumanisë modifikohet për të nxitur përkufizimin konservator të familjes, lufta nuk do të mbarojë. Të dyja avokatet presin një raund tjetër gjyqesh në gjykata të ndryshme./A.A.