Gjykata e Lartë e BE-së: Meshkujt gej mund të dhurojnë gjak
Në gjykimin e datës 29.04.2015, Gjykata e Drejtësisë i tha Gjykatës Administrative të Strasburgut se dhurimi i gjakut të një mashkulli gej mund të refuzohet vetëm nëse një shtet ka përcaktuar qartë se personi është në rrezik të lartë të marrjes së sëmundjeve të rënda ngjitëse, të tilla si HIV, dhe se nuk ka në dispozicion mënyra të tjera të zbulimit efektiv ose metoda më pak të vështira sesa ndalimi për të siguruar një nivel të lartë të mbrojtjes së shëndetit të përfituesit.
Sipas një Direktive të vitit 2004 të Komisionit Evropian mbi disa kërkesa teknike për gjakun dhe komponentët e gjakut, “persona, sjellja seksuale e të cilëve i vë ata në një rrezik të lartë për sëmundjet infektive të rënda që mund të transmetohen me anë të gjakut, janë subjekt i ndalimit të përhershëm nga dhurimi i gjakut.”
Ankesa e donatorëve
Gjykata e Drejtësisë të mërkurën adresoi një rast që doli në dritë në vitin 2009, kur një mjek në Agjencinë franceze të gjakut në qytetin perëndimor francez Metz, refuzoi gjak nga një donator për shkak të marrëdhënieve të tij seksuale me një burrë tjetër. Mjeku e argumentoi se ligji francez i përjashtonte përgjithmonë donacionet e gjakut nga njerëzit që kanë pasur marrëdhënie të tilla seksuale.
Pacienti e sfidoi vendimin, duke shkaktuar që Gjykata Administrative e Strasburgut të kërkonte mendimin e gjykatës së lartë të BE-së për ligjshmërinë e refuzimit të donacioneve të gjakut nga personat gej.
Diskriminimi ndaj orientimit seksual
Debati ligjor ngriti pyetjen se nëse do të ndalohej në mënyrë të përhershme dhurimi i gjakut nga meshkujt gej, bie ndesh me të drejtat themelore të Bashkimit Evropian (BE) – veçanërisht, me parimin e mosdiskriminimit në bazë të orientimit seksual.
Në përgjigje, Gjykata e Drejtësisë, tha se “çdo kufizim mbi ushtrimin e të drejtave dhe lirive të njohura nga Karta e të Drejtave Themelore të BE-së mund të imponohen vetëm nëse ato janë të nevojshme dhe përmbushin me të vërtetë objektivat e interesit të përgjithshëm të njohura nga BE-ja ose nevoja për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e të tjerëve. “
Në këtë drejtim, të gjitha testet për të kontrolluar gjakun e një donatori dhe për të mbrojtur shëndetin e marrësit duhet të jenë kryer më parë, para se të imponohet një ndalim i përhershëm.
Marrë nga: www.dw.de