Gejtë në Kosovë nuk mund të dalin hapur
Një djalë biseksual në Prishtinë që insistoi të mbetej anonim për arsye personale, i tha BIRN-it se pjesëtarët e komunitetit LGBT në Kosovë as nuk mund të mendojnë të jenë të hapur për orientimin e tyre seksual.
Sipas tij, komuniteti LGBT përballet me shkeljen e të drejtave të njeriut në bazë ditore. “Në vend të punës, në shoqëri dhe në çdo aspekt të jetës”, tha ai.
“Duke filluar nga puna dhe kolegët e mi, kur ka diskutime për këtë [të drejtat e LGBT], unë dëgjoj mendime si,’të jesh biseksual, gej apo lezbike është sëmundje’,’unë do ti vrisja,’ dhe fjalë të tjera që mezi i besoj veshëve të mi.”
Ky 27-vjeçar thotë se ka vetëm katër persona me të cilët ai ka qenë në gjendje të flasë për orientimin e tij seksual, dhe asnjëri prej tyre nuk është pjesë e familjes së tij. Ai thotë se as nuk e ka menduar të flasë hapur me të afërmit e tij. “Unë thjesht po përpiqem të shijoj jetën time,” thotë ai.
Në teori, të drejtat e LGBT janë të garantuara në Kosovë, me Ligjin kundër Diskriminimit, të cilin parlamenti i vendit e miratoi në vitin 2004.
Në praktikë, ndërsa OJQ-të që punojnë për të drejtat e LGBT kanë organizuar marshimin në Prishtinë që mori mbështetje nga liderë të rëndësishëm politikë, mentaliteti i popullatës shumicë mbetet shumë prapa.
Një numër organizatash jo-qeveritare në Kosovë tani janë duke punuar në ngritjen e vetëdijes shoqërore për të drejtat e komunitetit LGBT.
Drejtoresha e njërës prej tyre, Qendrës për barazi dhe Liri, Rajmonda Sylbije, tha për BIRN-in se deputetët e Kosovës shpesh kishin pak ose nuk e kishin fare idenë se për çfarë votonin apo flisnin kur vinte puna tek të drejtat e LGBT-ve.
Ajo beson se shumica e zyrtarëve në institucionet shtetërore nuk dinë as se çfarë janë të drejtat themelore të këtij komuniteti.
Kjo është pjesërisht për shkak të kësaj kulture injorance zyrtare, shton Sylbije, që kaq shumë shkelje të të drejtave të gejve ndodhin nëpër shkolla, në sistemin shëndetësor dhe institucione të tjera shtetërore.
Fakti që në shumë komunitete, shumica e njerëzve ende mendojnë se të jesh gej ose lezbike është një sëmundje, e bëri këtë OJQ të fillojë të punojë me të rinjtë, duke u përpjekur të rrisë ndërgjegjësimin e tyre. Aktualisht, tha ajo, fokusi është në punën me 18-25 vjeçarët.
Zyra e Qeverisë për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Mos-diskriminim ndërkohë ka dalë me një plan veprimi për shkollat.
“Ne po përpiqemi të shtojmë të paktën një tekst në lëndët shoqërore të nxënësve në lidhje me të drejtat e LGBT,” tha Sylbije.
Megjithatë, nuk bëhet çdo gjë për të ndryshuar mentalitetin e zyrtarëve dhe shkollave. Ka gjithashtu shumë punë për të bërë edhe me fuqizimin e anëtarëve të komunitetit LGBT.
Pavarësisht një numri të madh kërcënimesh dhe madje edhe sulmesh fizike ndaj gejve dhe lezbikeve, vetëm 17 raste janë raportuar në polici që nga viti 2012, vetëm një prej të cilëve arriti në zyrën e prokurorit.
Kjo është arsyeja pse, Sylbije dhe aktivistë të tjerë që punojnë për të drejtat e LGBT thotë, fokusi duhet të jetë edhe në punën me institucionet e drejtësisë në vend./A.A.