Futbollisti i Adelaide United, Josh Cavallo, ka dalë hapur si gej, duke u bërë kështu i vetmi lojtar futbollist për meshkuj që flet hapur për homoseksualitetin e tij.
21-vjeçari shkroi në rrjetet sociale “jam gati të flas për diçka personale, për të cilën më në fund jam rehat të flas në jetën time”.
“Unë jam futbollist dhe jam homoseksual”, tha mesfushori në një video shoqëruese.
“Gjithçka që dua të bëj është të luaj futboll dhe të trajtohem në mënyrë të barabartë. Ka qenë një rrugë e gjatë për të arritur në këtë pikë të jetës sime, por nuk mund të isha më i lumtur me vendimin tim për të folur hapur rreth të vërtetës sime”
“Kam gjashtë vite që luftoj me seksualitetin tim dhe jam i lumtur që arrita ta pranoj veten”.
Josh Cavallo thotë se ai arriti në pikën që shëndeti i tij mendor ishte prekur dhe ai “po shkonte drejt vendeve të errëta”.
“Në fund të ditës thjesht doja të isha i lumtur. Identiteti im është më i madh se futbolli, është jeta ime” tha ai për programin Newshour të BBC-së.
Ai kishte dyshime dhe mendonte se “njerëzit do të mendonin ndryshe për të kur ta merrnin vesh”.
“Ata do të fillonin të thoshin gjëra të këqija për mua ose të talleshin me mua. Nuk është kështu. Të paktën kur je i vërtetë, mund të fitosh më shumë respekt nga njerëzit”.
Relacioni i sporteve dhe sportistëve LGBTIQ+ lë shumë për të dëshiruar. Rrjedhimisht, ka shumë pak sportistë, e sidomos futbollistë burra që kanë folur hapur për seksualitetin e tyre.
Ndër të paktët futbollistë që kanë dalë hapur si persona LGBTIQ+, kujtojmë:
Andy Brennan u bë ish-lojtari i parë i Ligës Australiane që doli hapur në 2019 kur “Newcastle Jet” ishte ende duke luajtur në një nivel më të ulët.
Ish-mesfushori i Aston Villas, Thomas Hitzlsperger, doli hapur si gej pasi u tërhoq nga sporti.Në vitin 1990, Justin Fashanu doli si gej dhe Thomas Beattie, një ish-lojtar i të rinjve i Klubit anglez “Hull City”, doli hapur në vitin 2020 dhe shprehu përkrahje publike për Cavallo, duke thënë se “përfaqësimi në sport ka shumë rëndësi dhe është i nevojshëm”
Josh Cavallo mori përkrahje të madhe nga futbollistët dhe personazhe të famshme të sportit dhe jo vetëm. Por, ai gjithashtu u përball edhe komente negative e homofobike nga tifozeritë e ndryshme.
Cavallo mori përkrahje edhe nga yje të futbollit si: Zlatan Ibrahimoviç, Gerard Pique, Rio Ferdinand dhe Rashford.
Burimi: https://www.bbc.com/news/newsbeat-59060323.amp
Përktheu: Agon Rexhepi