Gazetari televiziv do të ndryshojë gjini para kamerave
Gazetari belg Boudewijn Van Spilbeeck njoftoi të hënën se po bëhet grua në moshën 58 vjeçare, dhe do ta filmojë procesin për një transmetim televiziv.
Pse ka rëndësi kjo histori:
Historia ka patur një ndikim të drejtpërdrejtë në popullatën LGBT në Belgjikë: Transgender Info Point dhe Holebifoon – një linjë telefonike LGBT – kanë marrë më shumë telefonata dhe pyetje.
Van Spilbeeck thotë se ndihet e çliruar dhe e lumtur. Çiltërsia e saj për procesin në intervistat mediatike – duke përfshirë ndryshimet fizike, terapinë e të folurit dhe ndjenjat e të afërmve të saj – është mbresëlënëse dhe e guximshme. Ashtu siç janë edhe gruaja dhe dy fëmijët e saj të rritur, të cilët e pranuan tranzicionin e saj pak kohë më parë.
Pothuajse vetëm reagime pozitive ndaj “Caitlin Jenner” Belge
- Bo Van Spilbeeck, e njohur më parë si Boudewijn Van Spilbeeck, është gazetarja e parë transgjinore e Belgjikës dhe do të kalojë tranzicionin para kamerës.
- Van Spilbeeck tha se donte të dilte hapur si transgjinore 15 vite më parë, por nuk besonte se ishte koha e duhur.
- Vendimi i sportistes amerikane Caitlyn Jenner për t’u bërë grua në vitin 2015, pati një përshtypje të fortë tek Van Spilbeeck: “Fakti që ajo mori atë vendim në moshën 65 vjeçe, ishte momenti në të cilin kuptova se edhe unë mundesha ende”.
- Van Spilbeeck prej vitesh vishte veshje grash, por hormonet filloi ti marrë vetëm gjashtë muaj më parë. Operacioni i parë në fytyrën e Bo është planifikuar për muajin e ardhshëm.
- Shefat e Van Spilbeeck në VTM News po e mbështesin vendimin e saj: “Më është dhënë menjëherë garancia që unë mund të vazhdoj të bëj atë punë që bëj”.
- Organizatat LGBT gjithashtu kanë duartrokitur vendimin e Van Spilbeeck, duke thënë se sa më shumë mediat ndajnë tregimet për njerëzit transgjinorë, njerëzit transgjinorë do të pranohen në shoqëri.
- “Unë e shoh këtë si një detyrë morale që të përdor historinë time dhe të mbështes njerëzit në trupin e tyre dhe rolet e tyre gjinore nëse nuk ndihen mirë”, thotë Van Spilbeeck.
- Jo të gjithë e kanë mbështetur njoftimin e Van Spilbeeck. Një organizatë studentore katolike kritikoi vëmendjen e medias, duke thënë se ndryshimi i gjinisë është absurd dhe nuk janë asgjë më shumë se “fantazi ekscentrike.”/A.A.