Parada e shtatë e krenarisë e zhvilluar në Podgoricë të Malit të Zi gjatë së shtunës kaloi pa incidente, me qindra pjesëmarrës që bënë thirrje për miratimin e ligjit për martesat mes të njëjtit seks.
“Jemi mbledhur bashkë këtu për të thënë se nuk do ta ulim kokën dhe se kemi të njëjtat të drejta si të tjerët. Kërkojmë gjithashtu miratimin e ligjit për martesat të të njëjtitseks”, tha Danijel Kaleziç, përfaqësues i një prej organizatave për mbrojtjen e të drejtave të komunitetit LGBT në Malin e Zi.
Pjesëmarrësit protestuan për shkelje të të drejtave të njeriut dhe përhapjen e urrejtjes ndaj tyre nga partitë politike apo deputetë të parlamentit.
Në fund të korrikut, parlamenti malazez dështoi të miratonte ligjin për bashkëjetesë mes çifteve homoseksuale, për shkak se seanca plenare nuk pati kuorumin e nevojshëm.
Kryeministri Dusko Markoviç ishte shprehur përpara marshimit,se qeveria e tij do të dërgonte së shpejti projektligjin në parlament, në mënyrë që të mund të diskutohej gjatë sesionit të vjeshtës.
Asnjë prej zyrtarëve qeveritarë nuk mori pjesë në paradën gay, duke zgjedhur të dërgonin atje vetëm zëvendësit apo përfaqësues të tjerë të dikastereve të drejtuara prej tyre. Ngjarja u ndoq nga afër nga zv.ambasadori amerikan,Judy Kuo, që bëri thirrje përrespektimin e dallimeve, pa marrë parasysh nëse kanë të bëjnë me seksualitetin, kombësinë apo racën.
Përgatiti: Loreta Cuka
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.