Edhe pesë vende të tjera arabe ndalojnë “The Danish Girl”
Edhe pesë vende të tjera arabe kanë ndaluar filmin britanik “The Danish Girl” pasi Katari e hoqi nga kinematë e tij.
Filmi i vlerësuar në mënyrë kritike, i cili është nominuar për disa çmime Academy Awards, sipas The Hollywood Reporter ka dështuar të kalojë censurën lokale në Emiratet e Bashkuara Arabe, Oman, Bahrein, Jordani dhe Kuvajt.
Pasi filmi u shfaq fillimisht në Katar, ai mori reagim të ashpër nëpër mediat sociale nga ata që e panë filmin për shkak se ata e konsideruan me përmbajtje kulturore të papranueshme. Kjo bëri që ministria e kulturës të njoftonte ndalimin pak ditë më vonë.
Drejtuar nga regjisori i mirënjohur britanik Tom Hooper, “The Danish Girl” ka protagonist fituesin e çmimit Academy Award, aktorin britanik Eddie Redmayne në rolin e piktorit danez Einar Wegener, i cili besohet të jetë personi i parë në histori që ka ndërmarrë një operacion për të ripërcaktuar gjininë.
Bazuar në këtë histori të vërtetë, filmi ndjek Wegener se si ai bëhet një grua transgjinore me emrin Lili Elbe në vitin 1930.
Filmi kohët e fundit mori katër nominime për çmimet Oscar për aktorin më të mirë, aktoren më të mirë, dizajnin më të mirë të kostumeve dhe dizajnin më të mirë të prodhimit. Redmayne dhe aktorja suedeze Alicia Vikander, e cila luan gruan e Wegener në film, gjithashtu janë nominuar për çmimet BAFTA dhe çmimet Golden Globe për performancën e tyre.
Është e zakonshme për filmat perëndimorë të censurohen rëndë apo ndonjëherë edhe të ndalohen krejtësisht në Lindjen e Mesme.
Kohet e fundit në Emiratet e Bashkuara Arabe, “Fifty Shades of Grey” u pengua të shfaqej i plotë në vitin 2015, ndërsa në vitin 2014 “Ujku i Wall Street”, u lejua të shfaqej në ekranin e madh vetëm pasi filmit ju prenë 45 minuta./A.A.