Dy të arrestuar për krime të urrejtjes ndaj adoleshentit gej
Foto: Gay Community News (GCN)
Policia ka arrestuar dy persona pasi dyshohet se kanë dhunuar fizikisht një 19 vjeçar dhe i janë drejtuar atij paraprakisht me gjuhë homofobike.
Sulmi ndodhi në një metro në Londër ku adoleshenti u sulmua ndërsa shoku i tij 25 vjeçar mori disa lëndime teksa u përpoq ta mbronte mikun e tij. Dy të dyshuarit fillimisht e sulmuan adoleshentin verbalisht duke përdorur gjuhë homofobike e më pas nisi agresiviteti fizik.
Burime policore shprehen se një prej të dyshuarve e tërhoqi me forcë adoleshentin, i vodhi telefonin dhe e shtrëngoi në fyt. Agresorët më pas kërcënuan adoleshentin se do ta vrisnin dhe e detyruan që të kërkonte falje për faktin e të qenurit gej.
Më pas agresorët e liruan adoleshentin dhe i rikthyen telefonin, duke u larguar nga vendngjarja. Pas investigimeve të realizuara pas incidentit, policia theksoi se ky incident do të trajtohet si krim urrejtjeje. Në deklaratën për shtyp autoritetet e policisë u shprhen se: “Krimet e urrejtjes nuk do të tolerohen nga forcat policore në Transportin e Britanisë. Ne besojmë se çdo njeri ka të drejtën të udhëtojë i qetë dhe i sigurtë”./k.m/
Burimi: Gay Community News