Dokumentari i ARTE, prapa kuintave të paradës LGBTI të zhvilluar mes tensionit politik
Rrjeti televiziv Franko – Gjerman ARTE ka realizuar një dokumentar rreth lëvizjes LGBT në Shqipëri. Dokumentari është realizuar gjatë periudhës kur dy organizatat kryesore në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTI në Shqipëri, organizuan aktivitetet në kuadër të javës kundër homofobisë.
Aktivistet LGBT u gjendën në mes të tensionit politik këtë vit. Me çadrën e opozitës nga njëra anë dhe kërkesës nga policia për ta shtyrë paradën ose për të ndryshuar itinerarin. Dokumentari sjell të gjitha detajet nga prapa kuintave ashtu siç ndodhën javën e fundit para zhvillimit të paradës dhe tensionin kur opozita njoftoi për zhvillimin e protestës së saj duke e komplikuar situatën për aktivistët.
Gazetarët e rrjetit Evropian ARTE qëndruan për rreth një jave me aktivistët për të drejtat LGBTI për duke raportuar mbi rreziqet dhe tensionin që shoqëruan realizimin e pedalimit të gjashte kundër homofobisë.
“Xheni, Kristi dhe kolegët e tyre po planifikojnë për herë të gjashtë “Pedalimin e Krenarisë” në Tiranë – një demonstrim me biçikleta kundër diskriminimit dhe dhunës në shoqërinë shqiptare ku mbizotërojnë vlerat konservatore. Këtë herë mund të jetë edhe më keq se në vitin 2012, kur rreth 50 vetë pedaluan me flamujt e ylberit nëpër qytet dhe u bombarduan nga shashkat dhe tymueset. Partia Demokratike ka planifikuar një protestë në këtë ditë dhe policia paralajmëron se nuk mund ta mbrojë si duhet zhvillimin e pedalimit”, thuhet në shkrimin që shoqëron dokumentarin e ARTE.
Ky dokumentar tregon disa ditë nga jeta e dy aktivistëve Kristi Pinderi dhe Xheni Karaj, të cilën e përshkruan si një tur mes ministrive dhe bisedave televizive, ku here pas here të ftuarit as nuk duan të ulen krah tyre. “Jemi mësuar me këtë”, thotë Kristi Pinderi në dokumentar, “Dhe kjo është arsyeja pse është e rëndësishme ta zhvillojmë paradën me biçikleta çdo vit”.
Më tej dokumentari tregon realitetin në Shqipëri dhe vështirësitë me të cilat personat LGBTI përballen çdo ditë. Edhe pse Shqipëria ka miratuar një ligj kundër diskriminimit, shoqëria nuk është ende gati të jetojë sipas tij. Jeta e përditshme e gejve dhe lesbikeve është e vështirë: ata përzihen nga familjet e tyre, humbasin vendet e punës, dhunohen në ambiente publike dhe ende ka mjekë që refuzojnë të trajtojnë nevojat e tyre shëndetësore.
ARTE është një rrjet publik televiziv Franko – Gjerman me qendër në Strazburg, një kanal Evropian që promovon programe në fushat e kulturës dhe të artit. ARTE njihet si kanali kryesor Evropian i kulturës i cili transmeton një rang të gjerë programesh të disponueshme në gjuhën angleze, spanjolle dhe polake.
Dokumentari i Plotë: http://www.arte.tv/de/videos/073398-004-A/re-aufbruch-statt-angst