Më kujtohet vetja në moshën 12 vjeçare, me çantën e shpinës hedhur në një krah, me gishtat e lyer ngjyrë bari tek futesha në oborrin e një shkolle periferike të qytetit N. Në hyrje të portës kryesore më prisnin një grup djemsh. Sa i shihja ndjeja shtrëngime në stomak. Mundohesha të pikasja rojen e shkollës për t’iu shmangur djemve por ai nuk dukej gjëkundi. Njëri prej tyre më kapte nga kyçi i dorës dhe më tërhiqte. Vendi i preferuar i tyre ishte pas shkollës, ku ndodhej fusha e futbollit dhe përveç atyre që atë orë kishin fiskulturë nuk ndodhej tjetër njeri. Mësuesi i fiskulturës i linte të lirë nxënësit dhe vetë futej në palestër.
Pikërisht në atë fushë ndodhi sulmi. Që ditën kur lyeva thonjtë djemtë filluan të më ngacmonin. Në fillim kur më panë nisën të më shanin. Mësuesja e matematikës më nxori para klasës duke më thënë që të nesërmen mos ti lyeja më thonjtë. Qava. Të nesërmen shkova në shkollë sërish me thonjtë e lyera. Më përjashtoi nga mësimi. Djemtë duket se morën zemër nga veprimi i mësueses dhe të nesërmen u lëshuan mbi mua të katërt. Kur u ngopën duke më sharë e rrahur u larguan (jo pa hedhur mbi mua urinë e pështymë trazuar) duke më lënë të shtrirë mes fushës me vraga e gjak mbi fytyrë, duar e trup.
Në shtëpi shkova ashtu siç isha katandisur. E kisha vendosur që të tregoja të vërtetën. Dhe besoja se prindërit e mi jo vetëm do të reagonin por do ta bënin të madhe. Nuk po zgjatem më shumë, prindërit më zhgënjyen. Jo vetëm që nuk erdhën në shkollë për të folur me mësuesit, drejtorin apo edhe me nxënësit por ma vunë fajin mua. Unë i kisha provokuar vetë. Ku ishte parë më parë që një djalë të lyente thonjtë? E pra fajin e kisha unë. Me kaq biseda me prindërit u mbyll dhe motra ime e madhe në prani të tyre mori të ma fshinte manekyrin ngjyrë bari. I thyer, i poshtëruar, i zhgënjyer sa më ska, u nënshtrova, dhe heshta, dhe qava.
#Anais