Prof. Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe pedagog në universitetin e Tiranës, bëri dje një ndërhyrje në lidhje me një debat artificial në Shqipëri që ka sjellë shumë dizinformacion dhe ka krijuar një klimë urrejtje ndaj komunitetit LGBT.
Në facebook-un e tij ku është shumë aktiv dhe ka një audiencë të vetën besnike, Prof. Fuga i cili ka dhënëleksion edhe ne Universitetin Paris 10, shkroi ndër të tjera:
“Prindi 1; prindi 2, dhe lojërat pa shije!
Kam dëgjuar se në disa institucione arsimore parashkollore kanë bërë fillime eksperimentesh sociale me zarar, për të zëvendësuar terminologjinë “baba”, “nënë” me termat, Prindi 1 dhe Prindi 2.
Veç të tjerash, është edhe një eksperiment i paligjshëm! Është njësoj si të vrasësh dikë për të bërë eksperiment dhe parë se çfarë bën i vrari momentin e fundit të jetës!
Eksperiment i bukur në vetvete, por krim megjithatë!
Veç kësaj është edhe antiligjor sepse bie ndesh me kodin e familjes, pra indirekt edhe me Kushtetutën ku ky ligj bazohet. Prandaj eksperimentuesit duhet të vihen para përgjgjësisë ligjore!”
Ajo që thotë prof. Fuga në fakt bazohet në një debat artificial në Shqipëri që synon të ndërtojë një narrativë të pavërtetë sipas së cilës LGBT duan të shkatërrojnë familjen shqiptare.
Debati në fjalë, në të cilën profesori i Paris 10 e rreshtoi veten në një mënyrë që mund të habisë kolegët e tij perëndimorë, është artificial sepse në Shqipëri komuniteti LGBT nuk ka kërkuar asnjëherë te ndryshohet koncepti që shqiptarët kanë për familjen e as të ndryshohet mënyra se si shqiptarët e kuptojnë se çdo të thotë nënë a çdo të thotë baba.
Ky është një debat absurd dhe alogjik në të njëjtën kohë, pasi i portretizon njerëzit LGBT – të cilët janë prindër, fëmijë, bashkëshortë e bashkëshorte, familjarë dhe të afërm – si individë që nuk e duan familjen, kur në fakt e vërteta është krejt e kundërta.
Ndër të tjera, profesori duket sikur beson se gjithë ky debat bëhet për të “shuar dallimin mes sekseve”.
Ai futet madje në disa shpjegime të turbullta, të pasakta dhe të panevojshme rreth komunitetit LGBT dhe raportit të këtij komuniteti me gjininë.
Profesor Fuga, i cili duket se e ka të paqartë ndryshimin mes seksit dhe gjinisë, e para një atribut biologjik ndërsa e dyta një konstruksion shoqëror, thotë se: “Unë jam gati të pranoj se në shumë fusha dallimi midis burrit dhe gruas është kot, i tejkaluar. Madje nuk ka fare vlerë të vihet në dukje. Ta zemë kalon kufirin me pashaportë! E ç’vlerë ka nëse je burrë a grua?! Por, kur shtrohesh në spital për ndonjë operim, bëni shaka nëse jeni burrë të thoni se jo, nuk ka rëndësi çfarë jam, ose më keq: jam grua!
Çdo njeri ka të drejtë të ketë një jetë familjare. Si individë, ne lindim ose adoptohemi në një familje, ndërsa si të rritur, secili prej nesh ka të drejtë ta zgjedhë familjen e vet. Historikisht familjet kanë qenë struktura ekonomike që ndihmojnë pjesëtarët të përballojnë jetën me sukses. Ato janë hapësira që na mundësojnë të zhvillojmë atashime të shëndetshme me prindërit apo kujdestarët tanë. Kështu ato janë thelbësore për zhvillimin fizik dhe emocional të fëmijëve.
Interesi më i lartë i fëmijës, kërkon që ambienti ku rritet të jetë i aftë ta zhvillojë, t’ia përmbushë nevojat zhvillimore dhe t’i krijojë fëmijës një qëndrueshmëri emocionale por edhe ligjore që e ndihmon fëmijën të ketë një lidhje të rëndësishme me prindërit ose kujdestarët, të zhvillojë marrëdhënie që zgjasin gjatë gjithë jetës, e të krijojë një sens përkatësie dhe identiteti.
Ky shkrim i Prof. Fugës ngjalli reagimin e menjëhershëm të aktivistëve LGBT.
Kristi Pinderi i ndër të tjera i shkroi Fugës: “Jeni i painformuar, shumë vonë në këtë debat, nuk po thoni asgjë të re dhe për pasojë e keni ndërtuar gjithë këtë shënim mbi të pavërteta, ose pjesëve të së pavërtetave dhe e keni vendosur veten dhe pushtetin që keni për shkak të statusit dhe angazhimit tuaj në përdorim për të fyer njerëz, për të bashkëkonstruktuar me të tjerë personazhe të fanepsur një realitet mbytës për komunitetin LGBT. Dhe këtë e bëni duke hedhur në përdorim një gënjeshtër për ndonjë gjasme “eksperiment” që ekziston vetëm në trurin tuaj. Asnjë mendim kritik, asnjë qëndrim intelektual, kërkoni me këtë qëndrim ta mbani ende Shqiperinë si një ishull që medemek të ndriçojë gjithë botën me budallallëkun e vet. Sa për dijeninë tuaj nuk ka asnjë mundësi si Shqipëria të bashkohet me BE pa u bërë europiane, përfshirë këtu dhe detyrimin për tu garantuar prindërve LGBT të drejtën për të figuruar në çertifikatën e lindjes së fëmijëve të tyre”.
Alba Ahmetaj, një nga nënat që janë në gjyq për çështjen e regjistrimit të fëmijëve thotë: “Artan Fuga kam përshtypjen i dashur profesor, ashtu si shumë të tjerë dhe ju nuk doni të shikoni. Askush në Shqipëri nuk ka kërkuar që në çertifikatë të shënohet “prindi 1” ose “prindi 2”. Kjo është diçka që i përket gjykatës ta vendosë. Preferoni ti besoni pastorit Pano, i cili me dashje ka dizinformuar publikun (vazhdon ta bëjë ende sot e kësaj dite), por jo personave që janë ne proçes gjyqësor për këtë rast. Jeni i lirë profesor të shpërndani gënjeshtra sa të doni. Fundja u pa edhe nga shkëmbimi i komenteve që patët me pastorin në këtë status, se sa mirënjohës ju është për këtë vazhdimësi gënjeshtrash në një audiencë të gjerë si e juaja. Është e qartë që në Shqipëri nuk mban kush përgjegjësi për ato që thotë, edhe kur ato që thotë mund të përkeqesojnë jetët e shumë njerezve.”
Ndërkaq, Edlira Mara, bashkëdrejtuese e Pro LGBT dhe nëna tjetër që është në gjyq me shtetin shqiptar për njohjen e fëmijëve të tyre shkroi: “Nuk e kuptoj profesor se si ratë edhe ju në llumin e mediave që po mbarojnë për klikime. Askush nga përfaqësuesit e komunitetit lgbt+ nuk ka kërkuar zëvendësimin e fjalës “nënë,baba” me “prind1, prind2”. (E përmenda komunitetin pasi qëllimisht ju adresua që i kanë hedhur ata të tillë formulare) Shpërndarja e formularëve ka qenë nga persona që duan të ngjallin debate shteruese. Kështuqë, ju lutem, mos ndiqni turmën e painformuar në lidhje me disa çështje shumë delikate. Ju lutem mos perhapni dizinformim! Respekte!”
Një tjetër aktivist LGBT, Isa Myzyraj thotë: “I Dashur profesor,
Me keqardhje konstatoj se stutusi yt bazohet në informacione tërësisht të pavërteta.
Ju lutem profesor, me qëllim që të mos nxisni homofobi siç dashje ose padashje ke bërë në këtë status, na jepni vetëm një fakt, një të vetëm, një të vetëm, që e vërteton që në institucione ka nisur një gjë e tillë, një fakt profesor!
Është e rëndë që një njeri i nderuar si ju, të hapë një debat të tillë që ngjall mbi të gjitha homofobi e diskriminim tek një grup i caktuar i kësaj shoqërie.”
Në rreth 4 orë, nga ora 14 deri ne oren 18, prof. Fuga e editoi 6 herë postimin e tij, duke ndryshuar terminologjinë nga “lojërat e maskarenjve” në “lojërat pa shije”, etj.
Sot në mëngjes HI e pyeti z. Fuga se “A duhet çiftet e së njëjtës gjini të kenë të drejtë të figurojnë në çertifikatat familjare të fëmijevë të tyre ose jo. Pyetja bëhet për shkak se që nga viti 2021, Bashkimi Evropian kërkon nga vendet anëtare që tua njohin këtë të drejtë çifteve LGBT.”
Profesor Fuga nuk ktheu një përgjigje.
Edhe pse profesori i nderuar në çdo koment është shprehur që statusi i tij nuk ka lidhje me komunitetin LGBT, përgënjeshtrohet nga vetë komenti i tij që ka shkëmbyer me pastorin Akil Pano, të cilit i thotë: “I dashur Pastor, mik i nderuar, ju kam ndjekur nga larg paksa, ndjesë, në betejën tuaj! E konsideroj edhe sot që nuk kishit nevojë për mbështetje sepse dialoguesit në argumente shumë larg jush. Por, vigjilencën e mbaja! 🙂 E keqja në këtë botë mirëkuptohet në ekzistencën e saj, por e paarësyshmja më është e rëndë shumë ! Përqafime!”
Interesi më i lartë i fëmijës kërkon që prindërit që ushtrojnë përgjegjësi prindërore (pra prindërit që e rrisin fëmijën) të njihen për këtë përgjegjësi, sepse njohja e tyre si prindër u garanton edhe fëmijëve kujdesin e veçantë, një koncept i rëndësishëm ligjor në Republikën e Shqipërisë./Historia Ime