20 nëntori shënon një datë të rëndësishme në kalendarin LGBTIQ+. Çdo vit, në këtë datë, shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Personave Transgjinorë që kanë humbur jetën nga dhuna e shtypja si pasojë e transfobisë.
Dita e Përkujtimit të Personave Transgjinorë vjen pikërisht një ditë pas Javës së Ndërgjegjësimit për Personat Transgjinorë, e cila shënohet mes datave 13-19 nëntor.
Java e Ndërgjegjësimit Për Transgjinorët/ret është një javë e dedikuar ndërgjegjësimit për personat transgjinorë në mbarë botën. Gjatë kësaj jave, personat transgjinorë dhe aktivistët inicojnë dhe organizojnë aktivitete për të edukuar popullatën e përgjithshme rreth transgjinorëve/eve, rreth sfidave me të cilat përballën ata/o. Po ashtu, kjo javë është e mbushur edhe me aktivitete të tjera që në fokus kanë advokimin dhe lobimin për të drejtat e personave transgjinorë dhe për angazhimin institucional e shoqëror në parandalimin e dhunës, krimit dhe shtypjes me bazë transfobinë.
Kjo ditë u inicua nga advokuesja dhe aktivistja transgjinore Gwendolyn Ann Smith, si përkujtim për Rita Hester, një grua transgjinore që ishte vrarë në vitin1998. Atë ditë, u përkujtuan shumë persona transgjinorë që janë vrarë për shkak të identitetit të tyre gjinorë. Ky përkujtim është organizuar për çdo vit në po të njëjtën datë dhë kështu arriti të shënohet si Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Personave Transgjinorë.
TDOR (Transgender Day of Remembrance) organizohet në vende të ndryshme të botës si një përkujtim i çdo personi transgjinor që është vrarë për shkak të identititetit të tyre, dhe si një thirrje për parandalimin e dhunës e diskriminimit ndaj personave transgjinorë.
Personat transgjinorë vazhdojnë të jenë një prej grupeve më të margjinalizuara në shoqëri. Rrjedhimisht, sot i përkujtojmë dhe nderojmë të gjithë ata/ato që kanë humbur jetën për shkak të kësaj dhune e shtypjeje./Agon Rexhepi