Dita botërore e panseksualëve
Data 8 dhjetor është dita e personave panseksualë. Në Shqipëri është një term pak i përdorur dhe i njohur por personat panseksualë sigurisht që ekzistojnë edhe tek ne, ndaj duhet folur edhe për ta ashtu si dhe për grupimet e tjera LGBT+.
Por çfarë do të thotë panseksual?
Panseksualizmi është tërheqja emocionale, seksuale ndaj personave pavarësisht seksit ose gjinisë së tyre. Pra, termi panseksual përdoret për personat që tërhiqen nga persona të tjerë, shpirtërisht, fizikisht, emocionalisht pavarësisht orientimit seksual dhe gjinisë së tyre. Parashtesa pan rrjedh nga greqishtja e vjetër dhe nënkupton “të gjitha, secili/secila”.
Shpesh herë ka një ngatërresë mes panseksualëve dhe personave biseksualë. Në fakt nuk janë e njëjta gjë. Panseksualiteti si term është më gjithëpërfshirës sesa biseksualiteti. Biseksualët e kanë të përcaktuar pëlqimin e tyre: duke qenë se parashtesa “bi” do të thotë dy, biseksualët e kanë të ndarë këtë gjë: ata tërhiqen edhe nga burrat edhe nga gratë. Ndërsa panseksualët tërhiqen nga të gjithë, burrat, gratë, transgjinorët, etj. Ajo që duhet theksuar është që personat të cilët identifikohen si panseksual nuk i përfshijnë fetishizmat si nekrofili, pedofili, etj.
Në ditët tona është e mundur që të gjesh referenca të panseksualitetit pasi në botën kinematografike janë përdorur personazhe panseksualë. Për shembull, përmendim serialet “Doctor Who” dhe “Sex and the city” ku jo vetëm që flitet për panseksualizmin por ka dhe personazhe panseksualë. Në Shqipëri panseksualizmi njihet shumë pak dhe informacioni është i vakët. Ndaj duhen më tepër burime, përpjekje dhe përhapje e informacioneve për të folur e për të zgjeruar spektrin e këtij orientimi, i cili është prezent por nuk ka zë.
Anais