Disney i ka shpallur ‘luftë fesë’ duke mbrojtur të drejtat LGBT
Disney është akuzuar se është ‘anti-Besimit’, pas mbështetjes së tij për komunitetin LGBT.
Një grup i krishterë ka akuzuar Disney se i ka shpallur luftë fesë, pasi kompania kërcënoi se do të bojkotojë shtetin e Gjeorgjisë në qoftë se do të nënshkruhej një ligj që kufizon të drejtat e personave LGBT.
Vlerat Teksane e quajti kompaninë e filmit “Rrugaçët e korporatave” pasi kjo e fundit kërkoi nga guvernatori Gjeorgjian Nathan Deal që të kundërshtonte ligjin kontroversial.
HB 757, i njohur më parë si “akti i mbrojtjes së pastorëve” u miratua në Kongres dhe në Senat, por u kundërshtua nga Guvernatori Nathan Deal.
Një varg kompanish folën kundër projekt-ligjit, me Disney dhe Marvel midis atyre që kërcënuan një bojkot, duke thënë se nuk do filmonin më në atë shtet nëse ligji do miratohet.
Sipas Huffington Post, Vlerat Teksane kanë deklaruar se këto kompani i kanë “shpallur luftë” fesë.
“Është e habitshme që një ditë pas Pashkëve, kishave në Gjeorgji u është thënë se liritë e tyre nuk janë aq të rëndësishme për tu mbrojtur”, ka shkruar grupi.
“Është e qartë se gjigandët e korporatave si Apple, Disney, NCAA, Intel kanë dalë më në fund hapur dhe i shpallën luftë publike lirisë fetare të klerit dhe shkollave fetare, siç ishte mbrojtja shumë modeste e HB 757 e Gjeorgjisë që ata punuan për ta rrëzuar.
“A do t’ju ndalojë tani Disney të mbani një kryq jashtë këmishës në parqet e tyre?”, Vazhdoi ai.
“A do të jetë i detyruar një prift katolik të heqë jakën e tij të bardhë, kur të bëjë foto me Mickey Mouse?”
Guvernatori i Gjeorgjisë Nathan Deal tha se vetoja ishte e pavarur nga kërcënimi i bojkotit nga Disney, duke thënë: “Gjeorgjia është një shtet mikpritës.
“Ajo është plotë me njerëz të dashur, të këndshëm dhe bujarë. Dhe kjo është ajo që ne duhet të duam. Kam ndërmend të bëj pjesën time që të vazhdojë në këtë mënyrë. ”
Legjislatura e kontrolluar republikane e shtetit i kishte dhënë dritën jeshile HB 757, i cili do të ndalonte qeverinë të marrë masa ndaj të gjithë atyre që diskriminojnë personat LGBT – për sa kohë që ata e bëjnë këtë në bazë të “bindjeve fetare apo morale” të ndjera sinqerisht.
Ligji do të zbatohet edhe në agjencitë e adoptimit apo strehimoret e të pastrehëve – për të cilën kundërshtarët thonë se është një shkelje shumë e madhe e të drejtave të njeriut./A.A.