Kandidati shqiptar për deputet në Maqedoni nuk përmbahet dot, i quan LGBT “devijim”
Një kandidat nga partia politike shqiptare në Maqedoni, u shpreh dje në një debat televiziv se “komuniteti LGBT është devijimi i shoqërisë dhe kulturës shqiptare.”
Por nuk ka vonuar reagimi i LGBT Junajted Tetovë. Në një deklaratë të tyre thuhet, “Komuniteti LGBT është pjesë e traditës shqiptare sepse ne kemi ekzistuar gjithmonë, por viteve të fundit jemi më të zëshëm dhe më të organizuar dhe haptas luftojmë dhe kërkojmë të drejtat tona. Kërkojmë nga faktori politik shqiptar në Maqedoni që një herë e përgjithmonë të mos përdorë gjuhë të urrejtjes ndaj komunitetit LGBT dhe të mos përdorin komunitetin LGBT për pazaret e tyre politike. Kërkojmë që kandidatët për deputetë të përmbahen nga gjuha e urrejtës ndaj komunitetit LGBT dhe të mos shpërndajnë komente homofobike, bifobike e transfobike.”
Ndërkohë presidenti i LGBT Junajted Tetovë, z. Bekim Asani, ka reaguar edhe në facebook-un e tij me një status shumë të ndjerë, që shprehte si dhembje ashtu edhe forcë dhe vendosmëri për të luftuar për të drejtat e personave LGBT ku shkruan: “Të jesh LGBT dhe shqiptar në Maqedoni është diskriminim i dyfishtë. Shumë persona LGBT shqiptarë çdo ditë ballafaqohen me probleme të ndryshme e në të njëjtën kohë, kandidatët për deputetë nga radhët e partive politike shqiptare, me gojën plot mbjellin urrejtje edhe më të madhe ndaj këtij komuniteti duke e quajtur si devijim shoqëror.
Kam një porosi për juve, nuk jemi pak, jemi shumë, po hapni sytë e mblidhni mend se mund fëmija juaj,vëllau ose motra të jetë pjesëtarë i komunitetit LGBT dhe mos e lidhni traditën tonë shqiptare me urrejtjen tuaj. Shqiptarët gjithmonë kanë qenë tolerantë ndaj diverzitetit, andaj mos përdorni komunitetin LGBT për të fituar poenta politike.
Ne nuk jemi devijim. Ne jemi ketu, kemi ekzistuar dhe do të ekzistojmë ju pelqen juve ky fakt ose jo!!!”
Politikanët janë në postet e tyre, të zgjedhur nga votuesit(ndërmjet të cilëve ka edhe shumë persona LGBT), për të ndihmuar njerëzit, për të frymëzuar si dhe për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Dhe të drejtat LGBT janë të drejtat e njeriut!/A.A.