Deputetët homofobë mbeten jashtë Parlamentit të ri
Rezultatet paraprake të zgjedhjeve parlamentare tregojnë se në Parlamentin e ri, nuk do të ketë më një vend për znj. Mesila Doda.
Aleanca LGBT dhe Pro LGBT e përshëndesin me entuziazëm këtë dështim të ish-deputetes Doda e cila gjithë staturën e saj politike e ndërtoi vitet e fundit si kundërshtare e të drejtave të komunitetit LGBTI.
Kujtojmë se dy ditë përpara zgjedhjeve ajo deklaroi se nuk e dëshiron votën e komunitetit LGBTI. Kjo ishte tentativa e saj e fundit për të tërhequr vota mbi bazën e retorikës diskriminuese ndaj LGBTI, meqë Shqipëria mbetet një vend homofob. Por qartazi ky ishte një kalkulim i gabuar që tregon se nuk mund të fitosh vota nëse nuk i do njerëzit.
Në kuadër të projektit Mendo Politikisht që dy organizatat kryesore për LGBTI zhvilluan, u identifikuan edhe personazhe të tjerë homofobë. Konstatojmë se njëri nga këta personazhe, z. Tritan Shehu do i rikthehet parlamentit. Por kjo për meritë të partisë që e vuri të parin në listë, e jo për meritë të tij.
Rezultatet paraprake tregojnë se edhe personazhi tjetër z. Nard Ndoka, gjithashtu i flaktë në urrejtjen e tij ndaj LGBTI nuk do të jetë më në Kuvend, ndërsa z. Eduard Ndocaj, ashtu si edhe znj. Doda duket se do e mbyllë këtu aventurën e vet të rastësishme politike
Kujtojmë se çdo votë ka rëndësi, ndaj ndihemi të inkurajuar që komuniteti LGBTI, edhe pse i fshehur u tha jo politikanëve që kërkojnë vota jo duke frymëzuar por duke urryer njerëzit.