Deklaratë për media
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2019/06/flat550x550075f.u6-960x408.jpg)
![](https://historiaime.al/wp-content/uploads/2014/12/Streha_3-logos_pos-300x61.png)
Aleanca kundër diskriminimit LGBT, Pro LGBT dhe Streha dënojnë ashpër gjuhën e urrejtjes dhe diskriminuese të shprehur publikisht nga gazetarë dhe personalitete publike të vendit gjatë ditëve të fundit si dhe sulmet ndaj Radio Televizionit Publik Shqiptar.
Në kundërshtim me parimet e etikës gazetareske media të shumta, portale mediatike dhe emisione televizive nuk kursyen komentet negative, sharjet dhe fyerjet për stafin e RTSH mbi transmetimin e një filmi me metrazh të shkurtër mbi bulizmin dhe marrëdhënien mes dy djemve adoleshentë, duke nxitur komente të shumta diskriminuese dhe gjuhë urrejtjeje dhe duke përkeqësuar situatën në vend përsa i përket trajtimit me respekt të individëve LGBTI.
Dëshirojmë të rikujtojmë mediat dhe opinionin publik, se Radiotelevizioni Publik është një entitet publik i cili ka për detyrim të përfaqësojë çdo grupim të shoqërisë për aq kohë sa paguhet me taksat e të gjithë shqiptarëve.
Dëshirojmë të risjellim dhe në vëmendje faktin se RTSH2 është nje kanal televiziv i dedikuar minoriteteve dhe pakicave në vend.
I bëjmë thirrje Autoriteteti të Mediave Audiovizive të monitorojë gjuhën e urrejtjes së ushtruar ndaj komunitetit LGBT në emisione ditët e fundit dhe njëkohësisht institucioneve kompetente dhe vetë mediave për të marrë masa ndaj gazetarëve që nuk i përmbahen etikës minimale të komunikimit dhe transmetimit.
Në përfundim, inkurajojmë Radio Televizionin Publik dhe çdo entitet tjetër të pavarur, çdo institucion dhe organizim shoqëror që kontribuon në përkrahjen dhe mbrojtjen e komunitetit LGBTI në Shqipëri, për të vazhduar përpara me punën e tyre e për të rritur vizibilitetin për secilin komunitet të margjinalizuar e të lënë në heshtje nga media dhe shoqëria.