Dashuritë fatale të Prustit
Fletoret e shënimeve të Prustit janë shfaqur sërish në libraritë e Parisit: kësaj radhe në një botim luksoz të “Editions Saints Perès”, ku janë përfshirë shënime biografike e në mënyrë të veçantë mendime për shkrimet e tij, romanet e autorëve të mëdhenj si Baudelaire, Nerval, Musset, Balzac, mbi esenë e famshme kundër Saint-Beuve etj, që përfshijnë një periudhë interesante dhe të ethshme të jetës së tij krijuese: 1908-1918. Janë pesë fletore që zonja Straus i kishte blerë në një dyqan pranë Operës për t’ia dhuruar Prustit, i cili nuk mungoi ta falënderonte dhe të shkruante mbi to në apartamentin e tij në bulevardin “Haussman” ose në hotelin e dashur në Cabourg të Normandisë, ku shëtitorja, vite më pas vdekjes së tij do të quhej “Shëtitorja Proust” dhe ku apartamenti i përzgjedhur i tij do të quhej “Apartamenti Proust”. Fletoret të mësojnë detaje të panjohura, madje që një periudhë, ai kishte menduar që titullin e veprës madhore të tij ta quante jo Në kërkim të kohës së humbur, por Të herëpashershmet e zemrës. Një nga shënimet më pikante është edhe ai i gushtit të vitit 1913 kur Proust kishte caktuar një detektiv për të ndjekur të dashurin e tij që po i ikte nga “duart”, të shtrenjtin dhe të ëmblin Agostinelli…
Në vitin 1874, familja e tij u vendos në qendër të Parisit, në bulevardin Malesherbes, nr.9, jo larg katedrales Madelaine dhe Operës Garnier. Ajo shtëpi ishte shtëpia e kujtimeve: oborri, hyrja në fund të tij, salloni i madh ku mblidheshin miqtë e që vite më vonë ata do të gjenin vetveten në romanet e djaloshit Marsel. Atje ai njohu “Madame en Rose”; atje ai dëgjoi violinistin që ra në dashuri me “zotin Charlus”, i cili bënte elozhe për Sadom e Gomorra te zonja Verdurin. Pikërisht në këtë periudhë të rinisë së tij, ai filloi dhe eksperiencat e para seksuale: masturbimin, për çka tregon dhe në një letër dërguar në moshën 17-vjeçare gjyshit të tij, ku i kërkonte t’i dërgonte me urgjencë 13 franga: “Ja përse: unë kisha nevojë aq shumë për një femër, që të mund të ndaloja praktikën e keqe të masturbimit, saqë im atë më dha 10 franga që të shkoja në një bordello, por nga emocioni theva një vazo që kushtonte tre franga. Për më tepër nga emocionet nuk arrita të mbaroja punë…”
Prusti i pëlqente personazhet e dyzuara, ku burrat kishin diçka nga gratë dhe gratë diçka nga burrat. I tillë ishte dhe personazhi i Albertine-s në romanin e tij, Albertina e humbur, (Albertine disparue), një personazh, që dashuron narratorin ose rrëfyesin (që është vetë shkrimtari); që për hir të dashurisë për të pranon dhe burgun, që nxit xhelozinë e tij me prirjet e saj lezbiene, që më pas e braktis e më së fundi vdes nga rrëzimi i një kali, ashtu siç kishte vdekur duke u rrëzuar nga avioni dhe Agostinelli i bukur, i dashuri i tij. Albertine me fëmijërinë e saj të rikujton zonjushën De Banardaky, e vite më pas, ky personazh ka ngjyrat e mikut të tij Albert Le Cuziat, dhe më pas fatin e Agostinelli-it.
Dashuria për djemtë
Që në adoleshencë, e ëma e tij dyshonte për prirjet e tij homoseksuale. Dhe në fakt, Prusti i donte djemtë që në adoleshencën e rininë e tij. Ajo e vëzhgonte se me kë rrinte dhe ku shkonte. Kur u rrit ca, ajo e nxiste të linte shoqërinë e djemve dhe të shkonte me vajza që të merrej me to.
Ai e adhuronte autorin anglez, Ruskin, i cili në atë kohë ishte po aq i famshëm sa dhe filozofi gjerman, Niçe, dhe në rininë e tij filloi të përkthente dy nga librat e njohur të këtij autori, Bibla e Amiens dhe Sésame et les lys. Ruskin ishte homoseksual, por puna me përkthimin i dha Prustit mundësi të futet në botën e refleksionit dhe të letërsisë.
Një nga dashuritë e njohura të Prustit pas Alfred le Couzet, ishte ajo me Alfred Agostinelin, me origjinë italiane, nga Monaco, një djalosh simpatik, të cilin në fillim e angazhoi si shofer dhe pastaj si sekretar të tij. Madje, në ato kohë ai donte ta fshihte këtë fakt, sepse “nuk donte që të tjerët të shihnin në këtë lloj shoqërie diçka homoseksuale”, siç i shkruante ai mikut të tij Albert Nahmias. “Njerëzit janë aq budallenj sa mund të shohin në këtë shoqëri diçka pederastike”. Prusti e mori Agostinelin në shtëpi, në 102, bulevardi “Haussmann”. Ata qëndronin gjithnjë bashkë. Atje dhe flinte. Bashkë shkonin në kafenetë dhe restorantet dhe po bashkë bridhnin nëpër Francë apo shkonin në Normandi, veçanërisht në Cabourg. Ishte pikërisht ai që i shtypte tashmë dorëshkrimet e tij. Por mjerisht, Alfredi shpejt u mërzit nga kjo lloj shoqërie dhe zuri një dashnore, çka ndolli xhelozinë e Prustit. Midis tij dhe Agostinelit tashmë ishte Anna, por gjendja sa vinte e rëndohej gjersa një ditë Alfredi u zhduk nga shtëpia dhe nuk u kthye më.
Drama për Prustin ishte e madhe. Me miqtë e tij ai kërkoi të gjente gjurmët e Agostinelit dhe më së fundi ishte Nahmias që e njoftoi se ai kishte zbritur në jug të Francës, në Antibe, te prindërit e tij. Nahmias do të nisej me mision gjer atje për ta bindur Agostinelin që të kthehej tashmë si sekretar me një rrogë më të mirë. Madje më vonë, Prusti i bleu dhe një avion të vogël, të cilin ai e pagëzoi “Swann”, por që mjerisht një ditë prej ditësh, ai do të pësonte aksident me të dhe do të vdiste duke rënë në det.
Ishte 30 maji i vitit 1914. Kjo ngjarje e dhimbshme do ta vriste shumë shpirtin e Prustit, në një kohë që ata të dy ishin pajtuar tashmë. Prindërit e Agostinelit i kërkuan para për të gjetur trupin e tij në det dhe pas një jave më së fundi, Agostinelin e kishin gjetur. Sigurisht, Prusti i ndihmoi shumë, por tashmë mikun e tij nuk do ta shikonte më. Biografë të tij tregojnë se ndonjëherë, gjatë luftës, Prusti humbte në shtëpi publike për meshkuj, të cilat i njihte mirë dhe madje i kishte ndihmuar me mobiliet e prindërve të tij. Ishte kurioz të zbulonte këtë botë të ndaluar, “puset e Sodomës”, siç thoshte ai. Për më tepër, pas lufte ai nisi të shkruante romanin e tij Sodome et Gomorrhe, që u bënte jehonë orgjive të kohës biblike./A.A.