“Dashuria midis grave është revolucionare”, fjalimi i aktivistes Monica Benicio në Konferencën Evropiane të Lesbikeve

Quhem Monica Benicio, lesbo-feministe, e lindur dhe rritur në një nga favelat më të mëdhaja në Rio de Janeiro, Maré, e diplomuar në arkitekturë dhe bashkëshortja e Marielle Franco, një këshilltare bashkiake nga Rio de Janeiro, e vrarë në vitin 2018.
Është shumë e rëndësishme që marr pjesë në Konferencën Evropiane të Lesbikeve, si një grua nga Amerika Latine. E them këtë sepse për shekuj me rradhë trupat, njohuritë dhe kulturat tona kanë qenë të kolonizuara dhe ende mund të themi se ne jemi në procesin e dekolonizimit të jetës sonë. Për shembull, Brazili ka shfaqur shenja të racizmit dhe seksizmit shpeshherë përgjatë historisë së tij dhe situata aktuale vijon të mbetet shqetësuese, në bazë të të dhënave mbi dhunën në vendin tonë.
Imagjinoni një vend që ka qenë i pushtuar për shekuj me rradhë nga evropianët, që përdhunonin gratë indigjene dhe rrëmbenin e përdhunonin gratë e skllavëruara nga Afrika. Skllavërimi ka zgjatur për 318 vjet dhe kini parasysh që Brazili është zbuluar vetëm 519 vite më parë. Një Brazil që nuk e vuri re dhe nuk njohu 21 vite të diktaturës civile-ushtarake.
Ne të gjithë e dimë rëndësinë që Brazili ka për Amerikën Jugore, për shkak të vendndodhjes dhe shtrirjes së gjerë territoriale, dendësisë së lartë të popullsisë dhe faktit se është një nga vendet me rritjen ekonomike më të madhe në mesin e shteteve të prekura nga ‘outsourcing’. Sot, siç mund ta keni vënë re, Brazili po kryesohet nga një qeveri me karakteristika të forta fashiste dhe karakter refuzues, e cila arriti të vi në pushtet me fjalime që nxisnin urrejtje ndaj popullatës me ngjyrë, grave dhe komunitetit LGBTI+.
Presidenti i sapozgjedhur Bolsonaro, përfaqëson nga njëra anë një klasë të mesme që, siç shprehet ai vetë “është e lodhur” duke i ndarë privilegjet që i takojnë me të tjerët, dhe nga ana tjetër është njëkohësisht përfaqësues i një pseudo-elite të fundamentalizmit fetar. Sondazhet e bëra në Brazil tregojnë se shumica e votuesve të tij janë burra, të bardhë, me të ardhura mesatare, të përqendruar në zonat e zhvilluara në jug dhe në juglindje të Brazilit.
Shumë gra në zgjedhjet e vitit 2018 dolën në rrugë nën moton #EleNão (Jo Atë) kundër argumenteve misogjene, projektit të militarizimit total të jetës së përditshme, dhe në mbrojtje të demokracisë. Veprimet ishin aq madhore sa ato të 8M (protestat e 8 Marsit).
Unë kam deklaruar se momentalisht po zhvillohet një revolucion i vazhdueshëm feminist. Por ne, si lesbo-feministe, duhet ta ndërtojmë këtë revolucion horizontalisht. E them këtë duke kuptuar se feminizmi ynë ndryshon dhe shpesh herë edhe shtyp. Unë jam një grua e rritur në një favela, por privilegji im si një grua e bardhë më lejon të kem akses në shumë gjëra, të cilat u mohohen grave me ngjyrë për shkak të racizmit.
Për të njëjtat arsye, të qënit lesbike më bën një nga viktimat kryesore të dhunës seksuale, të të ashtuquajturave përdhunime korrektuese, për shkak se dal kundër modelit heteronormativ. Po ashtu, gratë transgjinore janë viktimat kryesore të vrasjeve dhe krimeve të dhunës.
Mendoni për trupin e një gruaje: me ngjyrë, lezbike dhe trans, e cila kundërshton hapësira si kjo për të ngjallë diskutime mbi karakterizimet e tyre, njëjtë si po bëjmë ne. Ne duhet të rishikojmë privilegjet tona, të punojmë për një politikë të bazuar në gjithëpërfshirje dhe pa hierarkinë e shtypjes.
Në vitet e fundit kemi folur kaq shumë për barazinë gjinore dhe feminizmin ndërkombëtar, por në praktikat tona të përditshme injorojmë punën e margjinalizuar të refugjatëve, seksizmin dhe racizmin ndaj grave me ngjyrë, margjinalizimin e transgjinorëve dhe madje edhe ekzistencën e dhunës midis nesh. Duhet ta kuptojmë se dashuria midis grave është revolucionare, sepse ajo kundërshton logjikën e dominimit maskilist dhe patriarkal – një normë që sjell rritjen me 240% të feminicideve ndaj lesbikeve në Brazil në vitet e fundit.
Gratë lezbike, sidomos gratë e reja në Brazil, janë viktima të përdhunimit korrektues, janë mohuar dhe dëbuar nga shtëpitë e familjes. Braktisjet e shkollave në mesin e adoleshentëve janë jashtëzakonisht të larta dhe puna e pasigurtë është gjithnjë e më e prezente midis të ashtuquajturave ‘lesbike jo femërore’. Megjithatë, paralel me gjithë këtë dhunë, ne kemi pasur rezistencë.
Marielle gjithmonë ka përqafuar udhëzimet LGBTI dhe ka luftuar për to.
Në një nga episodet më të spikatura në vitin 2017, ishte kur ajo prezantoi dhe solli në votim projektligjin për Vizibilitetin e Lesbikeve në jetën publike, i cili u refuzua me 2 vota në Këshillin Bashkiak. Aspekti më i rëndësishëm i këtij momenti historik, ishte procesi i takimit, që bëri bashkë grupet lesbike nga territore dhe lëvizje të ndryshme feministe, duke promovuar aleancat përmes udhëzimeve të përbashkëta, të cilat inauguruan krijimin e Frontin Lesbik të Rio Janiero.
Pas refuzimit të projektligjit, kolektivë të shumtë organizuan “Occupy Sapatão”, një ngjarje politike, artistike dhe kulturore në përgjigje të lesbofobisë institucionale të Parlamentit që u vu në dukje gjatë debateve për projektligjin në fjalë. Kjo lëvizje është një përgjigje ndaj pushtetit, duke pohuar diskriminimin e organeve tona politike, dhe vazhdon të ndodhë çdo vit përpara Bashkisë.
Teksti hapës i projektligjit mbi rritjen e vizibilitetit thotë: “Zhdukja e lezbikeve është alarmante sepse është në të njëjtën kohë rezultat dhe burimi i lesbofobisë”.
Mandati i Marielle në Këshillin Bashkiak mundësoi krijimin e rrjeteve të solidaritetit midis grave, duke u ndërthurur me praktikat e politikave feministe. Ajo shprehu me dashuri eksperiencën e saj personale, duke sjellë në vëmendje faktin se familjet tona ekzistojnë dhe askush nuk duhet tu thotë të tjerëve kë dhe si të dashurojnë. Përpjekjet për njohjen e dashurisë dhe identitetit nuk janë një aksesor shtesë, nuk janë as një diversion ndaj problematikave më të rëndësishme, por një aspekt plotësues i garantimit të dinjitetit dhe të drejtave të të gjithë njerëzve, pa asnjë formë dallimi.
Ashtu si parashikon dhe perspektiva gjinore, ashtu edhe Marielle nisi dhe mori përsipër këtë luftë. Si ndikon kjo gjë negativisht në qasjen në strehim, pasi që shumë prej këtyre njerëzve janë dëbuar nga shtëpitë e tyre të origjinës? Si mund të ndikojë negativisht kjo ndjeshmëri ndaj dhunës seksuale, qasjen në politikat e shëndetit publik, garantimin e të drejtës për arsim dhe hyrjen në tregun e punës? Përpjekja për t’iu përgjigjur këtyre pyetjeve me një sy të ndjeshëm, realizohet duke parë legjislaturën e Marielle dhe përfaqësimin e pushtetit publik në një mënyrë më të përgjithshme.
Në një farë forme, këto lëvizje kanë fituar edhe më shumë vrull vitet e fundit, pasi kemi fituar më shumë shikueshmëri si aktivistë, artistë, gazetarë, parlamentarë … ky fenomen ka qenë në një trend në rritje me forcimin e lëvizjeve shoqërore lezbike që ne i njohim si “sapatao”, duke kuptuar dhe nënkuptuar termin si një mjet politik. Megjithatë, është e rëndësishme të thuhet se e drejta për të mos dalë hapur publikisht është qartazi një strategji e mbijetesës. Kjo ndodh për shkak se shumë gra, kryesisht me ngjyrë, nga periferitë dhe favelat, nuk kanë mundësinë të pranojnë orientimin e tyre seksual nga frika e përdhunimit korrektues, vrasjeve, dëbimit nga shkollat, universitetet dhe tregu i punës. Shoqëria lesbofobike dhe misogjene, krijon një mjedis të dëbimit të trupave tanë nga hapësira e përbashkët. Për shembull, Leci Brandao, një anëtare lesbike e parlamentit, ishte gruaja e dytë me ngjyrë e zgjedhur në më shumë se 180 vjet në Asamblenë Legjislative të São Paulo, një nga qytetet kryesore të vendit. Kemi urgjenca. Emergjencat e ekzistencës.
Ne duhet të dekonstruktojmë racizmin, seksizmin dhe maskilizmin, për të gjetur kuptime të reja ndaj feminizmit.
Më 14 mars 2018, 13 muaj më parë, gruaja ime u ekzekutua brutalisht duke u kthyer për në shtëpi. Gjatë gjithë kësaj kohe, unë kam lëvizur kudo në botë duke kërkuar drejtësi. Për mua, nuk ka dyshim se Brazili ka duart e njollosur me gjak nga ekzekutimi i Marielle, pasi as titulli i parlamentarit nuk arriti të shmangë vrasjen e saj. Dua të ritheksoj se çfarë ishte trupi i gruas sime. Grua me ngjyrë, e rritur edhe ajo në favelan e Marës, nënë, socialiste dhe lesbike. Marielle dhe unë kemi qenë bashkë për 14 vite dhe vetëm në vitet e fundit ne ishim në gjendje të jetonim në të njëjtën shtëpi dhe të krijonim familjen tonë. Ne jemi penguar nga forma të ndryshme të lesbofobisë, të cilat janë ende shumë të pranishme, sidomos kur e mohojnë Mariellën ose nuk më njohin mua si gruan e saj.
Arsyeja përse vazhdoj ende luftën për drejtësinë e saj sot, është për të ruajtur kujtimin e saj, që në një farë mënyre të mund të jem ende me të dhe që asnjë familje tjetër, të mos ndiejë dhimbjen e mungesës së personit më të dashur krah tyre. Marielle u mor padrejtësisht prej nesh për shkak të asaj që ajo përfaqësonte. Beteja e saj ishte për drejtësi dhe liri. Kjo bluzë që kam veshur, “Kush urdhëroi vrasjen e Marielle?”, është një mjet luftimi që do të vijoj të përdor, derisa shteti brazilian të përgjigjet e të gjej fajtorin, përpos vrasësve që u arrestuan një vit pas ekzekutimit të saj.
Po lë këtë mesazh për ju për t’ju treguar se të luftosh si Marielle do të thotë të mbash shpresën gjallë! Shpresoj që ditë më të mira do të vinë për të gjitha ne. Prandaj jemi sot këtu, të bashkuara. Le të bëjmë të mundur që dashuria midis grave të na shërojë dhe të na udhëheqë në këtë sfidë të përbashkët. Faleminderit!