Dalja hapur si gej në Shqipëri
Emri im është Jon. Unë jam një 33 vjeçar amerikan, vullnetar në Korpusin e Paqes dhe jetoj në një qytet të vogël në Shqipërinë lindore. Librazhdi është një qytet si çdo qytet tjetër shqiptar: pula kudo, gjyshe hipur mbi gomerë, dhe një thirrje e rregullt për lutje që bën jehonë nga xhamia lokale. Kjo ka qenë shtëpia ime për 17 muajt e fundit dhe këtu vendosa të dal hapur si gej.
Unë kam qenë i mbyllur mbi seksualitetin tim për 17 vitet e fundit, por Shqipëria është shumë e ndryshme nga vendlindja ime, San Françisko. Kështu që e pranova faktin se hyrja në Korpusin e Paqes mund të thotë kthim pas. Megjithatë, pasi u zhvendosa në Shqipëri, zbulova se lëvizja LGBT këtu po përparon shumë shpejt, dhe doja të bëja pjesën time për të mbështetur këta djem dhe vajza të guximshme që luftojnë për këtë kauzë. Me inkurajimin e prindërve të mi të dashur, familjes, miqve dhe vullnetarëve të tjerë të Korpusit të Paqes, u ndjeva gati për ta bërë këtë hap.
Fillimisht mendova të kërkoja të më transferonin në Tiranë për të punuar me çështjen LGBT, pasi do të isha më i sigurt për ta bërë atje. Një mik aktivist më sugjeroi që ta konsideroja njëherë të isha vetvetja në Librazhd. A do të ishte e lehtë? Jo, ndoshta jo. Mundej dikush të garantonte sigurinë time? Jo. A mundej kjo ide e çmendur t’ja vlente barra qeranë? Sigurisht!
Megjithatë, kisha shqetësime. Pavarësisht se bëra shumë miq, ndjeva se ata menjëherë do të më refuzonin nëse do e dinin se isha gej; Pyes veten nëse shumë njerëz do të investonin vite të jetës së tyre duke ndërtuar miqësi që potencialisht mund të kthehen të dhunshme. Kjo frikë u përforcua edhe nga njerëzit rreth meje dhe nga ato që kisha lexuar. Për fat të mirë, mbështetja erdhi tek unë në kohën e duhur nga dikush që nuk e mendoja të mundur.
Shqiptarit të parë në Librazhd të cilit ja thashë ishte miku im më i mirë, një djalë i ri heteroseksual i njohur në komunitet. Ai tashmë dinte shumë për mua dhe ne kishim kaluar shumë kohë së bashku, sepse e ndjeja se në qoftë se doja të kisha një arsye për t’u kthyer në Librazhd pas shërbimit tim me Korpusin e Paqes, do të duhej të bëja të paktën një mik të vërtetë këtu. Kjo do të thoshte të isha me të vërtetë vetvetja.
U ula pranë tij gjatë drekës dhe i thashë të vërtetën time. Ai ishte shumë përkrahës, dhe në fakt kishte pasur dyshime prej disa kohësh. Kushëriri i tij e kishte pyetur nëse isha gej, dhe kjo e bëri atë ta mendonte këtë fakt. Ai më tha:
“Nuk ka rëndësi për mua. Ti je vëllai im. Unë të pranoj kështu siç je. Asgjë nuk ndryshon për mua. Të dua si familje.”
Ishte e vështirë që të mos përlotesha nga reagimi i tij i papritur. Motra e tij (e cila jeton në Shtetet e Bashkuara, dhe e dinte për mua që më parë) më kishte lënë të kuptoja se ai do të ishte pozitiv, por unë ende isha i shqetësuar. Në qytete të vogla si Librazhdi, në qoftë se ju vendosni për të thënë një sekret, po doli nuk e kontrollon dot më përhapjen e thashethemeve dhe fjalëve. Megjithatë, doja të rrezikoja. Jam shumë i lumtur që e bëra.
Që kur ja thashë miku tim, fjala është përhapur. Mendova se ishte një ide e mirë ta lija thashethemin të përhapej. I thashë mikut tim se nëse dikush e pyet atë në lidhje me mua, ai të thotë të vërtetën. Ne tashmë jemi një ekip. Çdo ditë unë do të dal hapur për të paktën një person të ri. Deri në fund të shërbimit tim, shumica e njerëzve këtu do të kenë dëgjuar për djalin amerikan gej.
Më kujtohet një ditë kur dola hapur para dy djemve. Ata më pyetën a më pëlqenin vajzat shqiptare (djemtë shpesh i referohen një vajze të bukur si “pjeshkë”, një term vulgar për vaginën) dhe miku im ndërhyri dhe tha: “Ai nuk është i interesuar për to. Miku im Xhon pëlqen bananet, jo pjeshkat. Dakord? ” Ata thjesht thanë: “Oh, në rregull.” Ja, kështu ndodhi! Që nga ai moment ata kanë qenë shumë mbështetës dhe përkrahës. Të paktën 30 njerëz këtu tani e dinë që unë jam gej , dhe ende nuk më kanë dëbuar nga qyteti me shkelma.
Shqiptarët duket se i vlerësojnë mendimet e amerikanëve. Unë dua ta përdor këtë ndikim për të ndihmuar të fitojmë më shumë të drejta për vëllezërit dhe motrat e mia LGBT në Shqipëri. Shpresa ime është se njerëzit tani do të kenë të paktën një person që ata e njohin që është gej (dhe shpresoj se përshtypja e tyre ndaj meje është pozitive). Unë mendoj se thjesht po të njohin dhe të pranojnë një person gej është e mjaftueshme që ti hapin zemrat e tyre për të gjithë. Ndoshta një ditë kjo gjë do ta bëjë më të lehtë për një prind apo anëtar të familjes që të pranojë fëmijën, vëllain, motrën apo kushëririn e tyre gej.
“Mua më intereson ajo që është në mendjen tënde, jo preferenca jote seksuale. Për mua s’ka problem, më intereson vetëm ti. Ti je miku im. Kjo ka rëndësi.” – banor i Librazhdit, rreth të 20-ave./A.A.
/fromalbaniawithlove.blogspot.al