Çiftet gej dhe lezbike janë më të lumtur se njerëzit në marrëdhënie heteroseksuale
Një studim i gjerë ka dhënë disa dëshmi shumë të nevojshme.
Pas marrjes në pyetje të më shumë se 25,000 njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbi 9,000 njerëzve në Australi, hulumtuesit zbuluan se çiftet gej dhe lezbike janë më mirë.
Sidoqoftë, njerëzit biseksualë vuajnë nga marrëdhënie më të këqija sesa gejtë apo hoteroseksualët.
Francisco Perales dhe Janeen Baxter nga Universiteti i Queenslandit zhvilluan një studim.
Në gjetjet e tyre, ata shkruan: “Cilësia e marrëdhënieve në çiftet e gjinisë së njëjtë ishte po aq e lartë sa në çiftet heteroseksuale në Mbretërinë e Bashkuar dhe më të larta në Australi.
“Cilësia më e ulët e marrëdhënieve në të dy vendet u raportua nga individët biseksualë.”
Studiuesit sugjeruan se çiftet gej dhe lezbike mund të kenë marrëdhënie më të mira, sepse ata janë më pak të shqetësuar për t’iu përmbajtur roleve stereotipike gjinore.
Ata shkruan se “individët në çiftet e gjinisë së njëjtë (sidomos gratë lezbike) në përgjithësi janë më të barabartë në mënyrat me të cilat ata shpërndajnë punën shtëpiake, duke përfshirë edhe kujdesin ndaj fëmijëve”.
Çiftet heteroseksuale shpesh riafirmojnë rolet e tyre gjinore në marrëdhënie, të cilat, sipas autorëve, mund të çojnë në një ndarje të padrejtë të punës.
“Barrat e pabarabarta të punëve në familje janë të lidhura me rezultate të dobëta të marrëdhënieve, duke përfshirë konfliktet martesore dhe divorcin”, shpjeguan ata.
“Nëse shfaqjet gjinore nuk janë aq të spikatura në çiftet e gjinisë së njëjtë dhe këto marrëdhënie janë më egalitare(të barabarta) sesa çiftet heteroseksuale, mund të priten nivele më të larta të cilësisë së marrëdhënieve”.
Të dy ata shtuan se çiftet e të njëjtit seks mund të ndjehen më të lidhur me një bashkësi të çifteve të ngjashëm, gjë që mund të rrisë lumturinë e tyre.
Ata gjithashtu sugjeruan që “individët në marrëdhëniet e gjinisë së njëjtë mund të kenë më shumë gjasa sesa ato në marrëdhëniet e sekseve të ndryshme që të kenë investime të larta në marrëdhënie”.
Perales dhe Baxter argumentuan se gjetjet e tyre mbështesin dhënien e më shumë të drejtave për çiftet e gjinisë së njëjtë dhe hodhën poshtë argumentet që fëmijët e prindërve të të njëjtit seks vuajnë.
“Rezultatet tona japin dëshmi të fuqishme për të luftuar perceptimet e rrënjosura dhe të gabuara sociale të marrëdhënieve të të njëjtit seks sikur janë konfliktuale, të pakënaqura dhe jofunksionale”, thanë ata.
“Gjetjet tona mbështesin politikat që kërkojnë të legalizojnë martesat e të njëjtit seks dhe të drejtat prindërore.”
Autorët gjithashtu theksuan se rezultatet e tyre “theksojnë nevojën për t’i kushtuar vëmendje të mëtejshme individëve biseksualë si një grup i veçantë, sepse rezultatet e tyre janë relativisht të dobëta”.
Njerëzit biseksualë është zbuluar vazhdimisht që kanë kënaqësinë më të ulët të jetës midis njerëzve LGBT.
Sipas një studimi të mëparshëm të këtij viti, ata gjithashtu ndjehen më pak të vlefshëm dhe të lumtur – dhe shumë më të shqetësuar – sesa të tjerët.
Dhe vetëm këtë javë, u zbulua se njerëzit biseksualë flenë më keq se të gjithë të tjerët, sidomos gratë biseksuale./pinknews.co.uk
/A.A.