Ngjarjet e fundit në lidhje me komunitetin LGBT kanë patur ulje-ngritje. Historia e komunitetit njeh raste arritjeje dhe suksesi (si legalizimi i martesave dhe birësimi i fëmijëve nga çiftet e së njëjtës gjini në Slloveni) si dhe raste abuzimesh, keqtrajtimesh, krimesh(vrasja e dy personave në një bar LGBT në Sllovaki apo rasti i Katarit ku persona të komunitetit janë rrahur e ngacmuar).
Me siguri që po të hulumtonim më tej do të gjenim plot raste të tjera. Por le të ndalemi pak në Shqipëri. Çfarë ndodh me komunitetin LGBT në Shqipëri? Për këtë dhe tematikat që lidhen drejtpërsëdrejti me anëtarët e komunitetit do të marrë jetë një projekt i ri.
Projekti në fjalë financohet nga British Council dhe ka në qendër të tij si gjithmonë, pjesëtarët e komunitetit dhe problematikat që ata ndeshin në përditshmërinë e tyre. Jetojmë në një shoqëri ku çdo ditë ndeshemi me dhunë fizike, verbale, frikë, paragjykime. Për çdo ditë në kronikat e zeza nuk mungojnë vrasjet, plagosjet, përdhunimet, abuzimet. Dhe rastet në fjalë përfshijnë persona heteroseksualë. Po me personat gej, biseksualë, transgjinorë a ndodhin raste të tilla?
A abuzohen këta individë?
A vriten, plagosen, përdhunohen?
Çfarë po ndodh me anëtarët e komunitetit LGBT në Shqipëri?
Në një grup intervistash me anëtarë të komunitetit do të zbardhim realitetin ku ata jetojnë. Synimi i punës sonë do të jetë fokusi tek:
a) integrimi i tyre në shoqëri: (arsimimi, punësimi);
b) bullizmi dhe format e tij: (dhuna verbale, psikologjike, fizike);
c) përndjekja dhe format e saj: (telefonatat anonime, përndjekja në rrjetet sociale, ndjekja këmba-këmbës, shantazhi);
d) izolimi, frika nga paragjykimet, vetmia, mbyllja në vetvete, depresioni;
e) pranimi i vetes, dalja hapur dhe guximi për t’u përballur me botën;
f) marrja e shërbimeve shëndetësore, sociale, ndihma ekonomike, etj;
g) historitë e suksesit dhe arritjet e anëtarëve të komunitetit (shkollimi, gjetja e punës, ndjekja e kurseve profesionale, angazhimi në shoqërinë civile dhe arritje të tjera personale);
Këto dhe tema të tjera do të jenë në qendër të punës sonë. Do të sjellim jo vetëm problematikat por edhe arritjet e personave të intervistuar. Do të jemi zëri i tyre: diku ankues e diku brohoritës por gjithmonë me dëshirën e flaktë për liri e barazi./Anais