Çfarë ndodh kur lajmi shtrembërohet?

Të shtrembërosh të vërtetën, ta tjetërsosh atë për qëllime vetjake apo sipas leverdisë që mund të kesh, është si të kryesh një mëkat. Por përse po e sjellim këtë parantezë? Sepse dikush del dhe shkruan, “paralajmëron” për rreziqe të mundshme që vijnë nga komuniteti LGBT+ dhe për më tepër shtrembëron tekstin e një kënge, të një diskursi, etj. Përderisa njerëz të tillë munden të tjetërsojnë diçka të shkruar duke ia humbur tërësisht kuptimin, po këta njerëz munden të të gënjejnë sy për sy, të ta mohojnë fjalën ballë për ballë, e kështu me radhë. Për të qenë më të qartë në atë çfarë themi po ndalemi tek kënga e cila u bë burim i këtij artikulli. Është fjala për këngën “Ne do të konvertojmë fëmijët tuaj” kënduar nga kori gej i San Franciskos. Tematika e këngës ka të bëjë me “konvertimin” por jo në konvertimin e fëmijëve në gej e lezbike. Konvertimin në kuptimin e hapjes së mendjes, e pranimit të tjetrit, mbështetjes dhe tolerancës.
“Ne do ti konvertojmë fëmijët tuaj
Ndodh pak nga pak
Në heshtje dhe qetësisht,
Dikush duhet t’u mësojë se si të mos urrejnë”.
Nga vargjet siç dhe mund të kuptohet (për atë që do të kuptojë) konvertimi i fëmijëve do të ndodhë gradualisht, pra LGBT+ nuk imponon asgjë, është ritmi i botës ai që do ndryshojë botëkuptimin. Nuk ka dhunë në konvertimin e fëmijëve, gjithçka ndodh pak nga pak, me hapa të vegjël, qetësisht.

“Po vijmë për fëmijët tuaj
Fëmijët tuaj do ta duan drejtësinë për të tjerët
Fëmijët tuaj do konvertojnë vëllezërit dhe motrat e tyre
Dhe shumë shpejt jemi thuajse të sigurtë
Fëmijët tuaj do fillojnë t’ju konvertojnë edhe juve
Agjenda gej po vjen, ajo është këtu.
Por nuk keni pse shqetësoheni,
Nuk ka asgjë të gabuar që të na mbështesni”.
Nëse shkëpusim vetëm vargun “Po vijmë për fëmijët tuaj” tingëllon si paralajmërim. Nëse komuniteti LGBT+ do ta përdorte këtë varg si slogan për kishën, sërish do tingëllonte i frikshëm. Imagjinoni këtë varg si slogan për kishën: ata do vinë për fëmijët tuaj do t’i kthejnë të gjithë në të krishterë duke i pagëzuar etj. Ky slogan do të ishte tmerrësisht i frikshëm për botën muslimane. E njëjta gjë ndodh edhe kur përdoret për komunitetin LGBT+. Por përse? Sepse vargu është shkëpur nga konteksti dhe normalisht nuk jepet mesazhi që ka brenda gjithë teksti. I veçuar ka tjetër impakt dhe merr tjetër kuptim. Pikërisht për këtë lloj shtrembërimi, gënjeshtre dhe hileje po flasim. Teksti i këngës flet për botëkuptimin e një brezi të ri që sigurisht ka për të qenë i ndryshëm nga ai i prindërve. Bota çdo ditë e më shumë evolon, ndyshon dhe është e natyrshme që ndryshimi të ndodhë edhe tek brezat pasardhës. Fëmijët e rritur me sensin e drejtësisë, tolerancës, bashkëpunimit, diversitetit natyrisht që do të ndikojnë tek vëllezërit dhe motrat më të vegjël.
“Agjenda gej po vjen, ajo është këtu” nuk ka asnjë arsye që ky varg i këngës të trembë njeri. Gejtë, lezbiket, biseksualët, transgjinorët kanë ekzistuar dhe ekzistojnë. “Ardhja” e gejve tregon ndërgjegjësimin e komunitetit për të fituar të drejtat e tij. Jemi këtu, gjithmonë kemi qenë në mesin tuaj, por nëse më herët dëgjoheshim më pak, tani duam dhe duhet të dëgjohemi fort. Dhe kjo gjë nuk ka lidhje me konvertimin e popullatës e veçanërisht të fëmijëve në gej, por ka lidhje me të drejtën e të jetuarit të lirë, njësoj si ju, të drejtën për t’u martuar, njësoj si ju, prindëruar njësoj si ju, etj etj. Për ta mbyllur: “Njerëz, mos u frikësoni! Komuniteti LGBT+ nuk e gëzon aftësinë e konvertimit, nuk imponon kurrgjë, e për më tepër nuk abuzon me fëmijët por përpiqet t’i edukojë, t’i bëjë të kuptojnë që ekzistojnë dhe njerëz të tjerë në këtë botë madhe.