Çeçenia e re? 100 gej dhe persona transgjinorë të arrestuar dhe torturuar në Azerbajxhan
Së paku 100 gej dhe persona transgjinorë janë arrestuar, torturuar dhe rrahur në Azerbajxhan sipas raportimeve lokale. Policia ka kryer një “mësymje“ masive në qytetin Baku dhe i ka detyruar të gjithë të arrestuarit të tregojnë adresën dhe identitetet e personave të tjerë pjesë të komunitetit LGBT, shprehen aktivistët. Disa prej këtyre personave të arrestuar i janë nështruar një kontrolli mjekësor kurse disa gra transgjinore kanë rruajtur kokën.
Këto arrestime duken si një reminishencë e persekutimit të gejve në Çeçeni, ku më shumë se 100 njerëz janë burgosur, abuzuar dhe në më të keqen e rasteve vrarë.
Policia vendase i ka hedhur poshtë këto akuza duke thënë se këto aksione të ndërmarra nuk kanë të bëjnë aspak me orientimin seksual të të arrestuarve por me lidhjen e tyre me prostitucionin, sipas medias Eurasianet.
Të tjera raportime nga vendi shprehen se këto aksione policore janë ndërmarrë në emër të mbrojtjes së vlerave dhe traditave kombëtare.
Ayaz Efendiyev, kryetar i Partisë së Drejtësisë në Azerbajxhan iu përgjigj këtyre arrestimeve në një fjalim të ashpër të mbushur më gjuhë diskriminuese dhe urrejtjeje:
“ Duke mbrojtur këto krijesa të cilat janë burim imoraliteti, sëmundjesh të rrezikshme dhe të cilat janë mallkuar nga Zoti, qarqet perëndimore po përpiqen të na shkatërrojnë vlerat dhe traditat tona me moral të shëndoshë nën pretekstin e të drejtave njerëzore“.
Kur vjen puna tek mbrojtja e komunitetit LGBT Azerbajxhani renditet ndër vendet e fundit nëpër statistika. Këtë vit u rendit si vendi me performancën më negative në Europë në respektimin e të drejtave të komunitetit LGBT, duke marrë vetëm 5% pikë krahasimisht me Britaninë e Madhe e cila mori 76%.
Në 2015 Parlamenti Europian votoi kundër represionit të personave LGBT në këtë vend.
Homoseksualiteti është dekriminalizuar që prej vitit 2000 në Azerbajxhan por ky komunitet si edhe aktivistët për të drejtat e tij hasin shtypje dhe dhunë sistematike.
Javid Nabiyev, president i aleancës për kauzën LGBT në Azerbajxhan Nefes (‘Breathe’) u shpreh se “papritur forcat policore marrin aksione ndaj personave gej dhe transgjinorë pa ndonjë arsye apo motiv të caktuar”.
Në një prononcim për Pink News ai shprehet: “Është ende në rrethana të paqarta se si nisi ky aksion ose sa njerëz janë prekur nga kjo, avokatët që po punojnë me këto raste shprehen se së paku 100 persona janë izoluar prej disa ditësh. Sipas disa komunikatave zyrtare policët i kanë kryer arrestimet pasi kanë investiguar raste prostitucioni.Masat janë ndërmarrë në pajtim të plotë me ligjin në Azerbajxhan”.
Nabiyev rrëfen se një polic ishte shprehur se persona me orientim seksual të devijuar nga vlerat tradicionale ishin mbledhur në qendër të qytetit Baku për të ushtruar prostitucion./k.m/
Më poshtë mund të shihni aktivistin që flet për situatën e rënduar në vend rreth komunitetit LGBT:
Burimi: Pink News