Çeçeni/ Rëndohen torturat, tashmë komuniteti LGBT+ ballafaqohet me shok elektrik

Autoritetet në Çeçeni po ushtrojnë dhunë ndaj grave të komunitetit LBT duke përdorur metodën e shokut elektrik, sipas burimeve nga Russian LGBT Network.
“Spastrimi” ndaj komunitetit LGBT+ nisi në vitin 2017 kur raportime të ndryshme nxorrën në dritë fakte të errëta rreth grabitjes, torturave dhe vrasjeve në rajonin autonom të Rusisë. Dhuna është përshkallëzuar në kryeqytetin çeçen, Grozny. Igor Kochetkov, drejtor programi i “Russian LGBTI Network” u shpreh se një valë e re arrestimesh nisi në fund të dhjetorit vitin e kaluar.
Javën e kaluar organizata u shpreh se dy çeçenë kanë vdekur si pasojë e dhunës dhe torturës, teksa 40 janë të arrestuar që prej mësymjes që nisi muajin e kaluar. “Tashmë e dimë që ka disa vende ku personat e dyshuar si homoseksual mbahen të izoluar. Një prej këtyre vendeve është zyra policore e Zavodskoy në Gronzy” u shpreh Igor në website-in e organizatës.
Sipas dëshmive të të mbijetuarve, viktimat përballen me një nivel të tejskajshëm dhune dhe torture. Që prej prillit 2017 “Russian LGBT Network” ka evakuar rreth 150 persona jashtë Çeçenisë./k.m/
Burimi: Pink News