Ne nuk do të ndalojmë së punuari kur bëhet fjalë për ndërtimin e një Bashkimi të barazisë.
Me fjalët e mësipërme, Komisioni Evropian prezantoi sot Strategjinë e parë të BE-së për barazinë e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve, personave jo-binare, interseksualëve dhe personave queer (LGBTIQ), pas njoftimit të bërë nga Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në fjalimin e saj të parë për Gjendjen e Bashkimit 2020.
“Progresi i arritur në shtetet e BE drejt barazisë për personat LGBTI+ gjatë viteve të kaluara ka qenë i dukshëm, por sërish diskriminimi ndaj personave LGBTIQ vazhdon në nivele të larta me 43% të tyre që ndihen ende të diskriminuar. Kriza e COVID-19 vetëm sa e ka përkeqësuar situatën. “, shkruhet në njoftimin e Komisionit.
Strategjia e sotme adreson pabarazitë dhe sfidat që prekin njerëzit LGBTIQ, duke përcaktuar një numër veprimesh të synuara, përfshirë masat ligjore dhe të financimit, për 5 vitet e ardhshme.
Strategjia propozon ndër të tjera të zgjerojë listën e krimeve të dënueshme në shtetet e BE për të mbuluar krimin e urrejtjes, duke përfshirë gjuhën homofobike.
Njëkohësisht kjo strategji synon për të sjellë përpara legjislacionin mbi njohjen e ndërsjellë të prindërve të së njëjtës gjini në situata ndërkufitare; siguron që shqetësimet e personave LGBTIQ të pasqyrohen mirë në hartimin e politikave të BE-së, në mënyrë që personat LGBTIQ, në të gjithë larminë e tyre, të jenë të sigurt dhe të kenë mundësi të barabarta për të përparuar dhe për të marrë pjesë plotësisht në shoqëri.
Veprimet e parashikuara në strategji
Luftimi i diskriminimit: Mbrojtja ligjore kundër diskriminimit është thelbësore për avancimin e barazisë. Komisioni do të ndërmarrë një fushatë të gjerë vlerësimi, veçanërisht në fushën e punësimit.
Komisioni do të paraqesë për çdo legjislacion, instrumenta mbi forcimin e rolit të organeve të barazisë. Komisioni gjithashtu do të paraqesë dhe një kornizë rregullatore që do të adresojë në mënyrë specifike rrezikun e paragjykimit dhe diskriminimit të natyrshëm në sistemet e inteligjencës artificiale (AI).
Mbrojtja e të drejtave të familjeve jo-tradicionale: Për shkak të ndryshimeve në legjislacionin kombëtar në të gjithë shtetet anëtare, lidhjet familjare nuk mund të njihen gjithmonë në situata ndër-kufitare. Komisioni do të sjellë një iniciativë legjislative për njohjen e ndërsjellë të prindërve në të gjithë shtetet e BE dhe do të shqyrtojë masat e mundshme për të mbështetur njohjen reciproke të partneritetit të të njëjtës gjini midis shteteve anëtare.
Barazia LGBTIQ në të gjithë botën: Në pjesë të ndryshme të botës, njerëzit LGBTIQ përjetojnë shkelje serioze të të drejtave dhe abuzime. Komisioni do të mbështesë veprimet për barazinë LGBTIQ nën objektivat e tij për fqinjësinë, zhvillimin dhe instrumentin e bashkëpunimit ndërkombëtar (NDICI), Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA) dhe Fondin e Azilit dhe Migracionit.
Garantimi i sigurisë: Personat LGBTIQ vuajnë në mënyrë disproporcionale nga krimi i urrejtjes, gjuha e urrejtjes dhe dhuna, ndërsa nën-raportimi i krimeve të urrejtjes mbetet një problem serioz. Për të harmonizuar mbrojtjen kundër krimit të urrejtjes anti-LGBTIQ dhe gjuhës së urrejtjes, Komisioni do të paraqesë një iniciativë në vitin 2021 për të zgjeruar listën e krimeve të dënueshme në nivel unioni. për të përfshirë krimin e urrejtjes dhe gjuhën e urrejtjes ndaj personave LGBTIQ. Për më tepër, Komisioni do të sigurojë mundësi financimi për iniciativa që synojnë të luftojnë krimin e urrejtjes, gjuhën e urrejtjes dhe dhunën ndaj personave LGBTIQ.
Synimi kryesor i kësaj strategjie është përfshirja e problematikave LGBTI+ në politikat e Bashkimit Evropian, me qëllim një të ardhme më të mirë dhe me më shumë barazi për të gjithë individët e shoqërisë.
Burim i fotos: Komisioni Evropian