Azili në vendet e BE-së nuk është zgjidhja për personat e komunitetit LGBT
Homoseksualiteti është kundër ligjit në 78 vende të botës, ndërsa akti seksual midis dy personave të të njëjtit seks dënohet me vdekje në 5 shtete.
Shqipëria nuk bën pjesë në asnjë nga këto vende dhe konsiderohet si vend i sigurt për personat LGBT. Megjithatë janë të shumtë njerëzit që të shtyrë nga vështirësitë ekonomike, problemet sociale dhe diskriminimi, kërkojnë azil në vendet e Bashkimi Europian.
Sipas Kristi Pinderit, drejtor ekzekutiv i organizatës Pro LGBT, një nga arsyet që i shtyn personat e komunitetit LGBT të kërkojnë azil – është mungesa e shpresës.
“ Ka shumë persona që marrin informacione të pavërteta dhe kanë filluar të ndjekin një trend duke e konsideruar azilin si mënyra e vetme për të zgjidhur problemet e tyre, që janë kryesisht ekonomike.”- tha ai për Historia Ime.
Çdokush ka të drejtë të kërkojë azil, por duke marrë parasysh faktin se në Shqipëri, vitet e fundit janë bërë disa hapa përpara drejt sigurimit të të drejtave themelore për personat LGBT, mundësitë që kërkesa për azil të pranohet janë shumë të vogla.
“Ne nuk i këshillojmë njerëzit që të kërkojnë azil, sepse tani ka një ligj që të mbron nga diskriminimi, ka institucione si Komisioneri për Mbrojtjen Kundër Diskriminimit dhe Policia e Shtetit ka marrë trajnime për çështjet LGBT.” – tha Sidita Zaja, avokate e Aleancës Kundër Diskriminimit.
Që nga Dhjetori 2014, në Tiranë është hapur një qendër rezidenciale për persona nga komuniteti LGBT që braktisen, ose vuajnë nga dhuna familjare, psikologjike dhe fizike, për shkak të orientimit seksual ose identitetit gjinor.
“Është e rëndësishme që personat LGBT që ndihen të kërcënuar, të kontaktojnë me organizatat sepse ato kanë informacionin e nevojshëm për t’i orientuar dhe asistuar në zgjidhjen e problemeve. Ka një sërë shërbimesh, që organizatat ofrojnë për këdo që ndihet i përjashtuar, i kërcënuar ose i diskriminuar.” – tha Kristi Pinderi .
Në kuadër të projektit “Besim dhe siguri”, një nismë bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe organizatave LGBT është rezalizuar një spot i shkurtër i cili mbyllet me thënien:
“Unë besoj tek Policia e Shtetit, nuk është zgjidhje të kërkosh azil nëpër Europë”.
https://www.youtube.com/watch?v=bsNRt9Wvmgc