Në një artikull të publikuar sot tek Syri.net me titull “Axhenda anti-familje si kërcënim për të gjithë”, gazetari Klodian Tomorri shprehet se sulmi frontal që liberalët e majtë dhe përfaqësuesit e minoriteteve seksuale kanë ndërmarrë ndaj institucionit të familjes tradicionale shtron një pyetje thelbësore; A mundet pakica të diktojë normat, që rregullojnë bashkëjetesën e shoqërisë njerëzore?
Pasi na shpjegon se çfarë është Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut dhe sesi ajo e mbron familjen, Klodiani na shpjegon gjithashtu se si Milton Friedman provoi se incentiva që nxit progresin e shoqërisë njerëzore nuk është interesi vetjak, por institucioni i familjes.
Sipas tij prindërit punojnë dhe krijojnë vlerë për shoqërinë sepse duan të sigurojnë mirëqënien e fëmijëve të tyre. Anëtarët e një familje krijojnë vlerë ekonomike, jo vetëm për interesin vetjak, por për të mbështetur të afërmit e tyre.
Ai thotë se koncepti i familjes si incentiva bazë e zhvillimit ekonomik tashmë është pranuar gjerësisht nga shkenca. Thuajse të gjitha studimet shkencore në këtë fushë kanë konkluduar në tre parime, të pranuara tashmë edhe në rezolutat e Këshillit të të Drejtave të Njeriut:
1- Familja është e mirë për fëmijët. Asnjë strukturë apo institucion tjetër nuk është i aftë të sigurojë të njëtat rezultate cilësore për rritjen e fëmijës se sa familja e përbërë nga një burrë dhe një grua në një lidhje të qëndrueshme.
2- Familja është e mirë për prindërit. Lidhja në martesë dhe formimi i një familje shoqërohet me shëndet më të mirë fizik dhe mendor, mirëqënie emocionale, më pak kriminalitet dhe jetëgjatësi më të madhe
3- Familja është e mirë për shoqërinë. Familja është instrument thelbësor në luftën kundër varfërisë dhe krijimit të mundësive ekonomike.
Pra shkenca është e qartë- thotë ai. Çdo tentativë për të goditur familjen është në fakt sulm mbi themelet e bashkëjetesës shoqërore dhe mekanizmit të mrekullueshëm që bën të mundur progresin ekonomik dhe mirëqënien e njerëzimit.
Gjithë këtij leksioni mbi kapitalizmin, familjen dhe ndërlidhjen mes tyre, Kristi Pinderi i përgjigjet me një status në facebook, ku thotë:
“Duhet të heq dorë nga debati me pasion, e di, por ky robi duhet ta zgjerojë listën e gjërave që lexon sepse ka akses të pakufizuar në hapësiren mediatike e për pasojë broçkullat e veta duhet të kenë minimalisht filtrin që të jep dija. Le ta mbajë Friedman si biblën e vet, por duhet ta pasurojë këndvështrimin me burime te tjera. Praktikisht, me një gjuhë të trashë edhe të ngurtë, po thotë që familja është një motorr i rëndësishëm në kapitalizëm, gjë për të cilën biem dakort (ne sepse e kuptojmë, kurse ky bie dakort se e ka thënë Friedman). Pastaj alarmohet se LGBT do shkatërrojë familjen (e për pasojë edhe kapitalizmin). Sikur të jetonim në vitet 60, ndoshta një debat i tillë do ishte realist, por siç ne e dimë, kërkesa e LGBT për të patur të drejtën për një jetë familjare të njohur nga shteti dhe shoqëria, nuk bëhet sot për ta shkatërruar familjen, siç pretendon ky dhe ca toça të tjerë (unë personalisht do doja një debat më radikal, por kjo është çështje tjetër). Pra, nuk po thotë njeri ta shkatërrojmë këtë që është (edhe sepse kjo është e pamundur). Përqasja është e ndryshme sidomos në vendet perëndimore, është: do bëhemi edhe ne pjesë e këtij privilegji kaq mirë të rregulluar dhe të mbrojtur me ligj. Është kjo arsyeja pse sot në botën perëndimore (që ky robi e kupton vetëm përmes slloganëve të Friedman), familjet me çifte gej e lezbike janë kohorti i konsumatorëve më të lakmuar nga çdo biznes! Është kjo arsyeja pse sot nuk ka mbetur biznes a koorporatë kapitaliste pa reformuar krejt strategjitë e marketingut për “të kapur” sa më shumë këta konsumatorë që si askush tjetër janë sot për sot, janë konsumatorët familjarë më entuziastë në perëndim! Kështuqë, ironikisht, ato që ky quan “elita të majta”, janë sot në një varkë me këtë robin që nuk lexon, ose që nuk kupton edhe kur lexon! Dmth, kapitalistët dhe koorporatat janë më të lumturat që ti pranojnë familjet queer (dhe entuziasmin e tyre si konsumatorë) në gjirin e vet, aq sa Friedman do ishte sot – po të ishte gjallë – mbështetësi më i madh i martesave mes së njëjtës gjini!”
Si përfundim, debati ynë duhet të ishte a do e forcojmë kapitalizmin (siç po bëjmë) apo do e shembim atë duke shembur institucione që e mbajnë në këmbë siç është familja?/Alba Ahmetaj