Viktoria shënon shtetin e pestë që lejon personat transgjinorë dhe gjini të ndryshme, të ndryshojnë seksin në certifikatën e tyre të lindjes. Ky hap do të konkretizohet zyrtarisht duke u bërë ligj pasi të marrë pëlqimin mbretëror.
Sipas ligjeve të reja, transgjinorët do të kenë lirinë që dokumentet e tyre ligjore të pasqyrojnë gjininë me të cilën ata duan ta identifikojnë veten në shoqëri, madje edhe para se të kryejnë një operacion për ri-caktimin gjinor. Fëmijët gjithashtu, do të jenë në gjendje të vetë-nominohen për të ndryshuar gjininë e tyre ose të zgjedhin me lejen e prindërve një përshkrues jo binar.
Xhill Henesi, tha se reformat ishin të vonuara, pasi qeveria Andrews dështoi t’i bënte ato të kalonin në parlament për herë të parë në 2016. “Këto reforma të vonuara do të sigurojnë që njerëzit me gjini të ndryshme të mund të kenë një certifikatë lindjeje, e cila pasqyron identitetin e tyre të vërtetë,” tha ajo në një deklaratë të ndarë në Twitter.
“Ky mund të jetë një hap simbolik për një pjesë, por që për të tjerë nënkupton një botë të tërë ndryshimesh.” Më parë, thjesht për një ndryshim zyrtar të emrit në një dokument juridik si çertifikatë lindjeje, kërkohej të kryhej një ndërhyrje e përcaktimit gjinor para miratimit. “Kërkesa e tanishme për kirurgji dërgon një mesazh të dhimbshëm dhe të rremë se ka diçka të gabuar në të qenit i ndryshëm/ e ndryshme në gjini që duhet të” rregullohet “- kjo është arsyeja pse ne jemi duke e hequr këtë pengesë mizore dhe të padrejtë.”
Liria e zgjedhjes duhet të jetë garant, që dokumentet identifikuese të reflektojnë realitetin e jetës që bëjnë njerëzit.
Viktoria i bashkohet Tazmanisë, Australisë Veriore dhe Jugore duke kaluar ligjin në fjalë. Në Prill, Tazmania ishte e para që ndërmori iniciativën për ndryshimin në certifikatat e lindjes.
Aktivistët e mbrojtjes së të drejtave të komunitetit transgjinor, festuan suksesin duke e shpallur lajmin në mediat sociale, veprimtari e cila shënon një fitore domethënëse në luftën për barazi gjnore në Australi. /l.k/