Apple hetohet nga Rusia për “Propagandë homoseksuale”
Policia ruse ka nisur një hetim për gjigandin e teknologjisë Amerikane, Apple me akuzat e “propagandës homoseksuale” për figurat emoji që shfaqin çifte të të njëjtit seks në iOS-in e sistemit të tyre operativ.
Policia lokale në rajonin Kirov të Rusisë ka filluar hetimet e saj pasi avokati dhe aktivisti ortodoks Jaroslav Mikhailov u ankua se imazhet kanë shkelur një ligj të diskutueshëm të vitit 2013 që ndalon promovimin e homoseksualitetit te të miturit.
Figurat emoji në fjalë, janë lançuar nga Apple në fillim të këtij viti, duke përfshirë edhe ato me çifte të të njëjtit seks me fëmijë, si dhe persona të të njëjtit seks duke u kapur për dore.
Disa deputetë rusë i kanë kritikuar figurat që shfaqin çiftet gej në platformat online këta muajt e fundit, por kjo është hera e parë që përfshihet edhe policia. Nëse shpallet fajtor, Apple përballet me një gjobë deri në një milion rubla (£ 10,000)./AS.A.