Akil Pano ka frikë se në SHBA njerëzit mund të kërkojnë të martohen me kafshë
I njohur vetëm për kundërshtitë e tij për gjithçka që ka të bëjë me të drejtat e LGBTI, pastori shqiptar Akil Pano ka reaguar edhe këtë herë.
Ai ka postuar në faqen e tij të sponsorizuar në Facebook një status ku thotë se Amerika gaboi që legalizoi martesat gej.
Por ai shkon më tej kur shkruan: “Tani asgjë nuk mund të ndalë çdo person apo grup të kërkojë legalizimin e poligamisë, martesën në grup, martesën me kafshë, etj… Pasi steka e moralit është hequr dhe përkufizimi standart i martesës mes një burri dhe një gruaje ka ndryshuar, nuk ekziston më një standard, por shumë të tillë, deri në pafundësi. Amerika këtë herë gaboi!”.
Në fakt është pak të thuhet se pastori ynë shqiptar e ka ulur shumë stekën e argumentimit kur krahason dy njerëz me kafshët, në një rast që fliste nga fillimi deri në fund për dinjitetin njerëzor.
Por të paktën i duhen kujtuar Akilit argumentimet ligjore të 5 gjykatësve anëtarë të Gjykatës Supreme në SHBA, vendi që besimin te Zoti e ka të sanksionuar në Kushtetutë (sigurisht shumë më herët se pastori në fjalë të bëhej i krishterë).
Po i kujtojmë pastorit vetëm një pjesë nga qindra faqe argumentime ligjore të Gjykatës Supreme. Dhe kjo është pjesa që shkruhet në opinionin e gjykatësit Anthony Kennedy i cili krijoi shumicën për këtë vendim në Gjykatën Supreme:
“Asnjë bashkim nuk është më i thellë se martesa, pasi ajo përqafon idealet më të larta të dashurisë, besnikërisë, devocionit, sakrificës dhe familjes. Në formimin e një bashkimi martesor, dy njerëz bëhen diçka më shumë se çfarë ishin para saj. Ashtu siç disa prej atyre që sollën peticione në këtë rast tregojnë, martesa përfaqëson një dashuri që mund të vazhdojë edhe pas vdekjes. Do të ishte keqkuptim të thoje se këta burra dhe gra nuk kanë respekt për idenë e martesës. Përkundrazi, ata e respektojnë aq shumë sa kërkojnë përmbushjen e martesës edhe për veten e tyre. Shpresa e tyre është që të mos jenë të dënuar të jetojnë në vetmi dhe të përjashtuar nga një prej institucioneve më të vjetra të njerëzimit. Ata kërkojnë dinjitet të barabartë në sytë e ligjit. Kushtetuta ua jep këtë të drejtë. Dhe ky është urdhër”.
/K. Pinderi/