5 Gjërat që duhet të dini rreth terapisë së konvertimit për personat gej
Një terapi që pretendon se konverton personat gej në heteroseksualë po testohet në gjykatë me dy raste të reja, një prej të cilëve kërkon të padisë këshilltarët që ofrojnë terapi dhe tjetri që kërkon ti mbrojë ata.
Terapia e konvertimit gej, siç dihet, supozohet të ndihmojë personat gej të mpopshtin tërheqjen ndaj personave të të njëjtit seks. Por psikologët e zakonshëm thonë se terapia është joefektive, joetike dhe shpesh e dëmshme, duke shkaktuar ankth dhe urrejtje ndaj vetes ndërmjet atyre që trajtohen për diçka që nuk është çrregullim mendor.
Këtu keni pesë gjëra që duhet të dini për terapitë dhe paditë aktuale.
- Çfarë po ndodh në gjykata?
Dy sfida të reja ligjore kanë objektiv terapitë e konvertimit. E para është një padi civile në Nju Xhersi, në të cilën katër ish-klientë të një grupi këshillues të quajtur Jonah po padisin për praktika mashtruese. Pacientët argumentojnë se kanë paguar mijëra dollarë për terapitë të cilat nuk i kanë çliruar ata nga tërheqja ndaj të njëjtit seks dhe se më pas u është dashur të paguajnë për terapinë e zakonshme për të riparuar dëmet e bëra nga terapia e konvertimit.
Në një rast të dytë në Kaliforni, një gjykatës federal po dëgjon argumente kundër një ligji të ri shtetëror që ndalon terapinë e konvertimit për të miturit. Projektligji u nënshkrua ligj në shtator. Grupet konservatore ligjore pretendojnë se ligji është shkelje e së drejtës për lirinë e shprehjes, lirisë së fesë dhe privatësisë.
- Çfarë ndodh në terapinë e konvertimit?
Për shkak se terapia e konvertimit nuk është një trajtim psikologjik i zakonshëm, nuk ka standarde profesionale ose udhëzime për mënyrën se si zhvillohet. Sipas një artikulli të vitit 2004 në British Medical Journal, trajtimet e hershme në vitet 1960 dhe ’70 përfshinin terapi aversioni(një lloj terapi sjelljeje e projektuar për ta bërë një pacient të heqë dorë nga një zakon i padëshiruar, e detyronin atë që ta shoqëronte atë zakon të padëshiruar me një efekt të pakëndshëm), si p.sh. pacientët trajtoheshin me goditje elektrike ose duke u dhënë ilaçe që shkaktonin vjellje ndërkohë që i detyronin të shikonin filma erotikë të të njëjtit seks.
Metoda të tjera përfshijnë psikoanalizën ose terapinë e bisedimeve, trajtimet me estrogjen për të reduktuar epshin seksual tek burrat dhe madje edhe terapinë elektrokonvulsive, në të cilën përdoret një goditje elektrike për të shkaktuar një krizë me efekte anësore siç është humbja e kujtesës.
Kohët e fundit, njerëzit që kanë kaluar nëpër terapinë e konvertimit raportojnë për terapinë e bisedimit që thekson teoritë pseudoshkencore, siç është ideja që një nënë autoritare dhe një baba i largët e bëjnë një fëmijë gej. Në një ese të prillit të vitit 2012 në The American Prospect, shkrimtari Gabriel Arana përshkruan përvojën e terapisë së tij “ish-gej.” Terapisti i tij fajësoi prindërit e tij për homoseksualitetin e Aranës dhe i kërkoi atij që të distancohej nga shoqja e tij më e mirë.
Chaim Levin, një nga njerëzit që paditi Jonah për praktika mashtruese, thotë se ai e braktisi terapinë e konvertimit pasi terapisti i tij e zhveshi dhe e detyroi të prekte veten për “tu rilidhur me mashkullorinë e tij,” sipas New York Times.
- Pse psikologët thonë se terapia e konvertimit nuk funksionon
Homoseksualiteti nuk konsiderohet çrregullim mendor, kështu që Shoqata Psikologjike Amerikane (APA) nuk rekomandon “të kurohet” tërheqja ndaj të njëjtit seks. Sipas një deklarate të vitit 1997 mbi terapinë “konvertuese” ose “riparuese” nga APA, injoranca shoqërore, paragjykimet dhe presioni për t’iu përshtatur dëshirave heteroseksuale janë rreziqet reale për shëndetin mendor të personave gej.
Një grup pune i APA-s i vitit 2009 zbuloi se terapitë e konvertimit, pavarësisht se janë të mbrojtura nga organizatat fetare, kanë shumë pak dëshmi për t’i mbështetur ato. Një përmbledhje e studimeve nga viti 1960 deri në vitin 2007 gjeti vetëm 83 mbi këtë temë, shumica e të cilëve nuk ishin aspak të fortë nga ana eksperimentale për të treguar nëse terapitë ia arritën qëllimeve të tyre të deklaruara. (Shumë prej njerëzve që u studiuan në vitet e hershme, ishin të detyruar nga gjykata për t’ju nënshtruar terapisë, duke i shtuar një element shtrëngues këtyre rezultateve.)
Studimet më të mira ishin më të reja dhe cilësore, dhe u gjetën nga task forca e APA-s, që do të thotë se nuk u përqendruan në efektivitetin statistikor të trajtimit, por në përvojën subjektive.
“Këto studime tregojnë se ndryshimi i qëndrueshëm në orientimin seksual të një individi është i pazakontë”, shkroi task forca në raportin e tyre të vitit 2009. Pjesëmarrësit vazhdonin të raportonin tërheqje për seksin e njëjtë pas terapisë së konvertimit dhe nuk tërhiqeshin aspak nga gjinia e kundërt.
Këto studime kanë gjetur se terapia e konvertimit mund të jetë e dëmshme. Efektet negative përfshijnë “humbjen e ndjenjës seksuale, depresionin, prirjen për të kryer vetëvrasje dhe ankthin.”
- Si filloi terapia e konvertimit?
Dëshira për t’i konvertuar personat gej është mjaft e vjetër. Në vitin 1920, Sigmund Freud shkroi për një paciente lezbike, babai i të cilës donte ta kthente në heteroseksuale. Freud u bëri jehonë psikologëve modernë duke u përgjigjur se ndryshimi i orientimit seksual ishte i vështirë dhe i pashpresë. Gjithsesi ai u ofrua ta shihte gruan, por më vonë e ndërpreu terapinë për shkak të armiqësisë së saj. Në vitin 1935, Freud-i shkoi edhe më tej, duke i shkruar një gruaje që donte që djali i saj gej të konvertohej, duke i thënë se homoseksualitet “nuk është asgjë për t’u turpëruar, nuk është ves, nuk është degradim, nuk mund të klasifikohet si një sëmundje.”
Psikologë të tjerë gjatë viteve 1900 besonin se homoseksualiteti mund të ndryshohej dhe rekomandonin një shumëllojshmëri trajtimesh. Një nga përpjekjet më të çuditshme ishte përpjekja nga endokrinologu vienez Eugen Steinach për të transplantuar testikuj e burrave heteroseksualë në skrotumin e personave gej, në një përpjekje për t’i çliruar ata nga tërheqja për të njëjtin seks. Nuk funksionoi.
Një nga avokatët më të shquar të terapisë së konvertimit në vitet 1940 dhe 50 ishte Edmund Bergler, i cili e shihte homoseksualitetin si një perversion dhe besonte se mund të “kuronte” personat gej me një stil terapie të bazuar në dënime.
Pasi Shoqata Amerikane e Psikiatrisë e ndaloi klasifikimin e homoseksualitetit si një çrregullim mendor në vitin 1973, terapitë e konvertimit e humbën mbështetjen. Por organizatat e të drejtave fetare si Exodus International dhe Focus on the Family’s Love Won Out përvetësuan akuzat, duke promovuar terapitë e tyre “ish gej”. Një grup i vogël psikologësh, të ndarë nga kolegët e tyre, vazhduan të promovojnë terapitë, duke themeluar organizatën e terapisë së konvertimit NARTH. Grupi ka lidhje fetare; për shembull, një nga themeluesit e saj dhe ish-presidenti, psikologu Joseph Nicolosi, ishte zëdhënës për “Focus on the Family”.
- Dakord, por ç’të themi për atë studimin që zbukoi se terapitë e konvertimit funksionojnë?
Grupet që promovojnë terapinë e konvertimit shpesh bazohen në një studim të vetëm për të mbështetur punën e tyre. Në vitin 2003, psikologu i mirënjohur Robert Spitzer, i cili udhëhoqi heqjen e homoseksualitetit nga lista e çrregullimeve mendore të Shoqatës Amerikane të Psikiatrisë në vitin 1973, raportoi në arkivin e Sjelljeve Seksuale se intervistat me pacientë të terapisë së konvertimit sugjeruan se disa njerëz mund të ndryshonin orientimin e tyre seksual.
Raporti ishte nxitës dhe shumë i kritikuar, duke pasur parasysh se mbështetej në intervista me pacientë, në vend që të mbështetej në pika të matshme të dëshirave për të njëjtin seks. Grupet konservatore ishin të kënaqur që kishin mbështetje nga Spitzer, i cili nuk ishte i njollosur nga paragjykimet fetare apo ideologjitë kundër gejve; organizatat LGBT u ndjenë të tradhtuara.
Gjithsesi në fund, Spitzer u pajtua me kritikët e tij. Nuk kishte asnjë mënyrë për të konfirmuar se çfarë thanë të intervistuarit e tij ishte e vërtetë, shkroi ai në vitin 2012 për redaktorin e revistës Arkivat e Sjelljeve Seksuale. Studimi, tha ai, kishte të meta fatale.
“Unë besoj se i detyrohem komunitetit gej një ndjesë për studimin tim, ku kam bërë deklarime të padëshmuara të efikasitetit të terapisë riparuese,” shkroi Spitzer./A.A.