Të mos ndihesh vetvetja!

Të privuar nga kujdesi shëndetësor dhe mbështetja nga shteti, anëtarët e komunitetit transgjinor në Shqipëri i sigurojnë nën dorë terapitë e tyre hormonale dhe vetëm pak prej tyre munden të udhëtojnë drejt Serbisë apo Turqisë për operacionet e kushtueshme të ndërrimit të seksit. E lindur si djalë, Sara* e kishte kuptuar që e vogël që trupi nuk i përkiste. Ajo e dinte se çfarë donte, por iu desh të priste gjatë për ta realizuar.
“Fillimisht mbusha moshën [20 vjeç], e më pas bëra lekët për operacionin. Pasi u bënë lekët, duhej gjetur edhe doktori i duhur. Nuk është shumë e vështirë që të gjesh doktorin por edhe e lehtë nuk është” thotë vajza transgjinore në një nga lokalet e shumta të zonës së ish-Bllokut në Tiranë. Operacionet për ndryshimin e seksit nuk bëhen ende në Shqipëri, ndaj Sara udhëtoi drejt Serbisë për t’i realizuar ato. Ajo tregon se bëri dy ndërhyrje brenda një jave me një kosto prej 15 mijë eurosh dhe kur u përball me pamjen e saj të re, fillimisht nuk i pëlqeu vetja.
“Isha komplet e enjtur, e fryrë. Kisha përfunduar vetëm pjesën e sipërme dhe pjesa e poshtme e trupit bënte shumë kontrast. Por pastaj enjtja nisi të ulej dhe më pëlqeu vetja ime e re,” shtoi ajo.

Sara është një ndër anëtarët e paktë të komunitetit transgjinor në Shqipëri që ka mundur të realizojë pjesërisht transformimin e trupit të saj. Të dhënat e mbledhura nga Historia Ime përmes një pyetësori të shpërndarë nëpërmjet platformës ECR tregojnë se pjesa më e madhe e komunitetit transgjinor në Shqipëri e kanë të pamundur t’i përballojnë kostot e këtyre ndërhyrjeve dhe nuk trajtohen me ndihmë ekonomike nga shteti. Nga të dhënat e mbledhura përmes ECR rezulton se:
• Mes të anketuarve, 70% identifikohen si femra dhe 30% si meshkuj.
• Gati 80% e transgjinorëve i merr shërbimet shëndetësore në sistemin publik dhe pjesa tjetër në atë privat.
• Terapia hormonale ka kosto të lartë, merret nën dorë dhe shumica e transgjinorëve që iu përgjigjën pyetësorit, thanë se e ndiqnin këtë terapi pa u konsultuar me mjekun.
• Operacionet për heqjen e gjoksit kryhen në Turqi dhe kushtojnë 3500 euro. Ndërsa operacioni i plotë i transformimit nga djalë në vajzë dhe anasjelltas kryhet në Serbi dhe Spanjë dhe kushton rreth 15,000 euro.
• Rreth 70% e të anketuarve thonë se janë nën trajtim nga psikologu apo mjeku psikiatër; shërbime që sigurohen falas nga organizatat LGBTI në Shqipëri.
Terapi hormonale, anët pozitive dhe efektet anësore
Sipas aktivistes Xheni Karaj, “Komuniteti transgjinor është kategoria më e diskriminuar brenda grupimit LGBTI si nga shoqëria, institucionet apo kuadri legjislativ në vend. Ndjekja e shkollës, punësimi, mungesa e legjislacionit, marrja e shërbimeve shëndetësore përbëjnë problematikat kryesore të këtij komuniteti. Aktualisht në Shqipëri nuk ofrohet asnjë zgjidhje lidhur me terapinë hormonale apo me operacionet e ndryshimit të seksit”.
Terapia hormonale shërben për të realizuar ndryshime fizike që ndihmojnë në harmonizimin më të mirë të trupit me identitetin gjinor. Për të marrë shërbime të terapisë hormonale duhet të jesh mbi 18 vjeç ose mbi 16 vjeç me pëlqimin e prindërve. Terapia hormonale mund të përmirësojë mirëqenien psikologjike dhe sociale; lehtëson shqetësimet psikologjike dhe emocionale të lidhura me gjininë; përmirëson kënaqësinë seksuale dhe cilësinë e jetës. Por terapia hormonale ka edhe rreziqet dhe komplikimet e veta, ndaj duhet patjetër që gjatë terapisë personin ta ndjekë një mjek. Komplikimet e terapisë hormonale mund të përfshijnë: mpiksjen e gjakut; probleme me zemrën; nivele të larta të triglicerideve; nivele të larta të kaliumit në gjak; nivele të larta të hormonit prolaktinë në gjak; shkarkim nga thithka; shtim në peshë; sterilitet; tension i lartë i gjakut apo goditje në tru.
Sara tha për Historia Ime se është trajtuar me hormone para dhe pas ndërhyrjeve kirurgjikale, por nuk është konsultuar asnjëherë me doktor. Ajo tregoi se hormonet i merr nën dorë në farmaci, por detyrohet t’i blejë ato me dyfishin e çmimit real.
“Po të kisha një doktor që të më ndiqte, do kisha ikur në Turqi e t’i merrja atje pasi janë shumë lirë. Nuk këshillohem me mjek, i marr vetë,” tha ajo, ndërsa shtoi se terapinë hormonale e siguron në Shqipëri ose në Kosovë.
Ndryshimi i gjinisë
Ndryshimi i gjinisë ka qenë tabu për dekada me radhë në Shqipëri, por situata ndryshoi në vitin 2009 përmes ligjit për “Gjendjen Civile”. Sipas organizatës TLAS, e cila ndjek disa prej çështjeve të komunitetit LGBT në Shqipëri dhe ofron ndihmë ligjore falas, neni 8 i këtij ligji ofron tashmë një hapësirë për ndryshimin e gjinisë, por individët duhet t’i drejtohen gjykatës. Sipas TLAS, gjinia korrigjohet përmes një vendimi gjyqësor vetëm në Regjistrin Kombëtar dhe jo në Aktin e Lindjes. “Personi duhet të ketë raport mjekësor me vulë apostile që tregon se është bërë ndryshimi i gjinisë dhe kjo e thjeshton punën, pasi pas këtij ndryshimi personit i lind e drejta për t’u martuar dhe kjo e bën më të lehtë,” tha TLAS.
Pas operacioneve të kryera në Serbi, Sara u kthye në Shqipëri pa probleme me të njëjtin dokument udhëtimi ku identifikohet si djalë. Por ajo thotë se e ndihmuan flokët e shkurtër dhe fakti që “ishte e fashuar”.

“Tani kam pasaportën me pamjen time të re dhe mund të iki kudo pa problem, edhe pse emri nuk është ndryshuar. Dua shumë ta ndryshoj emrin dhe gjininë, sepse nuk është e drejtë që ti të jesh femër dhe në dokumenta je mashkull,” shtoi ajo. Pas transformimit fizik, Sara thotë se ndjehet vetvetja, ndjehet më e lumtur. Por ajo nuk e ka ndarë ende lajmin me familjen e saj, pasi mendon se nuk do ta pranojnë dhe “nuk dëshiron që t’i lëndojë”.
“Kur ta marrin vesh, sepse një ditë do e marrin vesh, kjo gjë për ata do jetë dramë. Ata jetojnë për të tjerët. Unë dua të jetoj jetën time. Do ishte shumë gjë e bukur nëse familja të pranon,” tha ajo. Sara ëndërron gjithashtu të bëhet nënë si dhe të arrijë të ndryshojë gjininë e saj në dokumente.
“Do luftoj derisa ta arrij këtë gjë, pasi e nisa dhe dua ta çoj deri në fund procesin tim të transformimit,”përfundoi ajo.
*Emri i personit të intervistuar është ndryshuar për arsye privatësie.
#Anais