Egla Ceno: “Mike” e LGBT, por kundër martesës edhe për miqtë e saj

Në një nga seritë e emisionit Goca & Gra, Elton Ilirjani vendosi të tregojë historinë e tij si person queer. Vetëm kaq mjaftoi që Egla Ceno, një nga moderatoret e këtij emisioni të shfaqte qëndrimin e saj kundër martesave brenda së njëjtës gjini, si dhe shumë problematika që i përkasin këtij komuniteti. Ajo argumenton se martesa brenda së njëjtës gjini është një cënim ndaj familjes shqiptare si dhe nuk harron të theksojë se martesat tradicionale janë të vetmet që mund të prodhojnë familje të qëndrueshme dhe “normale.”
Kjo është një retorikë e përdorur shpesh së fundmi dhe që përforcon diskriminimin dhe stigmatizimin ndaj personave LGBT. Martesa mes personave të së njëjtës gjini është një çështje themelore e të drejtave të njeriut, dhe shpreh të drejtën e secilit për të krijuar një familje të bazuar në dashuri dhe respekt. Rasti i Shqipërisë, ku martesat mes gjinisë së njëjtë ende nuk janë të ligjshme, e bën këtë debat akoma më të rëndësishëm.
Qëndrimi i Eglës, që sheh martesat brenda gjinisë si “vdekjen e vazhdimësisë” për familjet tradicionale shqiptare, ka një hipokrizi të dukshme kur analizojmë faktin se ajo vetë ka zgjedhur të mos ketë fëmijë(me sa kemi kuptuar prej atyre që ka thënë vetë për mëmësinë dhe vendimin që të bëjë fëmijë kur të dalë nga BBV). Kjo sugjeron që standardet e saj mbi riprodhimin dhe vazhdimësinë, të cilat ajo i përdor për të kritikuar komunitetin LGBT, nuk janë aplikuar në jetën e saj personale. Ky argument bie ndesh me zgjedhjen e saj dhe tregon një standard të dyfishtë, pasi vazhdimësia familjare nuk varet domosdoshmërisht nga preferencat seksuale, por nga zgjedhjet individuale të secilit.
Në të njëjtën mënyrë, shumë individë heteroseksualë zgjedhin të mos kenë fëmijë, por nuk janë subjekt i të njëjtës kritikë që u adresohet çifteve të së njëjtës gjini.
Më pas hapet debati mbi termin prindi 1 dhe prindi 2, që edhe pse është shpjeguar vazhdimisht që nuk është kërkuar asnjëherë nga komuniteti LGBTI+ në Shqipëri, shpesh përdoret në mënyrë të shtrembëruar për të sulmuar këtë komunitet. Kur përdoret në mënyrë abuzive për të nxitur urrejtje, kjo tregon një strategji për të përforcuar stereotipat negativë. Emërtime si “vrima bonus” janë gjithashtu shembuj të vulgaritetit dhe mosrespektit që synojnë të ulin dinjitetin e personave LGBT dhe grave në përgjithësi.
Sa për merakun e Eglës dhe Dorinës se përse komuniteti LGBT ngre zërin për të drejtat e tyre, mund të themi se komuniteti LGBT nuk po kërkon privilegje, por barazi dhe mbrojtje nga diskriminimi.
Egla gjithashtu thotë se ka miq LGBT, por ndërkohë i quan ata “vdekja e vazhdimësisë”. Kjo është një kontradiktë dhe hipokrizi e madhe. Të thuash se ke miq LGBT, por t’i karakterizosh ata negativisht tregon një mungesë të thellë mirëkuptimi dhe respekti ndaj tyre. Miqësia e vërtetë kërkon pranim të plotë të personit, jo vetëm sipërfaqësor, por dhe të zgjedhjeve dhe identitetit të tyre.
Jorida Rustemi së bashku me Rudina Dembacaj në krahun tjetër, e kundërshtuan qasjen e Eglës duke mbrojtur lirinë e zgjedhjes dhe të drejtën e individëve për të dashuruar kë të duan. Ato theksojnë rëndësinë e respektit për zgjedhjet personale dhe diversitetin në shoqëri. Ky duhet të jetë qëndrimi i atyre që pretendojnë se përfaqësojnë zërin e aleatëve të komunitetit LGBT dhe që luftojnë për të drejtat dhe pranimin e tyre në një shoqëri që është ende larg pranimit të këtij komuniteti.
Pikërisht ky debat na tregon ndarjen e theksuar në mënyrën se si shoqëria shqiptare i qaset të drejtave të komunitetit LGBT.
A.A.