Trishtim mbrëmjesor
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2023/03/337237697_1887114341645213_349488761114883164_n.jpg)
Dhe kur nata zbriste, veç territ e frikës sillte me vete dhe trishtimin. Ishte ky i fundit që e mundonte më shumë. E bënte të ndihej e dobët, e trishtë, e vetme. Edhe gjatë ditës nuk është se ndjehej e fortë, e lumtur, e rrethuar nga njerëz. Nata dhe dita për të nuk kishin shumë ndryshim. Natën ajo e ndjente trishtimin ti mbushte qelizat, ndërsa dita sillte vuajtjen e të qenit ndryshe. Ndryshe sepse ishte lezbike. C’dreq pune dhe kjo!
Ishte pikërisht lezbizmi i saj që e shtonte trishtimin. E të mendosh që as nuk e kishte zgjedhur vetë këtë prirje. Kishte ardhur paketë bashkë me të e tani duhet ta duronte pasi ishte pjesë e saj. Po në fund të fundit ç’faj kishte ajo, qenia e saj lezbike? Fajin e kishte Krijuesi, ai e kishte bërë ashtu. Ai kishte zgjedhur për të, kishte parapërcaktuar rrugëtimin e saj në jetë. Ajo prej kohësh e dinte kush ishte fajtori. Prej kohësh vuante dënimin e tjetërkujt. E përse? Vetëm sepse ai ishte Krijuesi, i pagabueshmi. E pra, ja që kishte gabuar. Të paktën sipas asaj që shoqëria njerëzore pretendonte, se të qenit lezbike ishte e gabuar.
Po edhe shoqëria kishte pjesën e saj të fajit. E përse nuk donte ta pranonte? Përse flisnin për të dhe për komunitetin të cilit ajo i përkiste me aq mllef e urrejtje? Ata ishin njësoj si të tjerët. Kush dhe përse i kishte etiketuar si ndryshe dhe automatikisht kishte bërë ndasinë “ne” dhe “ata”?
Si mund të ndryshonin njerëzit vetëm për shkak të orientimit të tyre seksual? Krijuesi kishte paracaktuar fatin e njerëzimit. Faji ishte i tiji. Vetëm atij duhej ti drejtohej gishti. Atëherë përse ia drejtonin gishtin asaj, përse të qenit lezbike për shoqërinë ishte problem? Edhe nëse do ta quanin problem le ta shoqëronin këtë me emrin e Krijuesit. Ai ishte fajtori i vetëm. Ai duhej dënuar.
E teksa mendonte të gjitha këto ndjente trishtimin që i mbushte çdo pore të trupit. E ndjente veten tek zhytej në ëmbëlsinë e atij trishtimi fatkeq. Dhe sapo arrinte majën një qetësi vdekësore përhapej në dhomë. Krijuesi, shoqëria, mentaliteti, zhgënjimet zhdukeshin si me magji. Ekzistenca e saj ishte e vetmja gjë e vlefshme dhe e rëndësishme.