Telefonata

Nuk e priste telefonatën e saj. Më saktë, e priste por po mundohej t’i mbushte mendjen vetes që ajo nuk do të telefononte. Kishte kaluar një natë me të. Përgjatë gjithë natës ishte munduar të jepte maksimumin, të ishte sa më në formë fizike, emocionale dhe shpirtërore mirëpo gjërat nuk kishin shkuar siç do të kishte dashur ai.
Andi, prej vitesh kishte zbuluar se ishte gej dhe po prej vitesh ia kishte mohuar e vijonte t’ia mohonte vetes këtë gjë. Nuk e pranonte kurrsesi që i pëlqenin djemtë dhe mundohej të fokusohej te vajzat. E frustronte veten, e dënonte, e detyronte të dilte me vajza. Sapo ndonjë kolege në punë i prezantonte një shoqe, ai nxitonte të “sajonte” një takim, një kafe, një shëtitje. Në rrjetet e tij sociale kishte marrë përsipër ta tregonte veten si një don zhuan. Nuk linte rast pa bërë fotografi me vajzat që njihte, me shoqe, mikesha të motrës, kolegëve e shokëve.
I pëlqente kur e miklonin dhe e quanin don zhuan. Në një farë mënyre arrinte ta ndjente veten të tillë. Të paktën deri në ditën kur vajza me të cilin doli e kuptoi se atij i pëlqenin djemtë dhe thjesht nuk ia pranonte vetes këtë gjë. Gjithçka filloi me një flirt. Ajo u dha menjëherë pas natyrës së tij gazmore. Kaluan kohë duke folur derisa një ditë vendosën të qëndronin bashkë…
Pasi u ndanë në fillim të kryqëzimit, Andi kaloi rrugën dhe vazhdoi të ecte i përhumbur në mendime. Kishte kaluar një natë të këndshme, përkrah një vajze të bukur, inteligjente dhe gazmore. E megjithatë e ndjente në thellësi të shpirtit që ajo e kishte kuptuar të vërtetën. I trembej telefonatës e veçanërisht fjalëve që do të sillte ajo telefonatë.
Ajo telefonoi në mbrëmje. Shtëpia ishte kredhur në një qetësi të ëmbël. Andi ngriti ngadalë telefonin. Nga ana tjetër erdhi zëri vajzëror e bashkë me të dhe e vërteta e hidhur. Ai ndjeu sytë ti digjnin, fjalët nuk i nxirrte dot dhe vetëm frymëmarrja (edhe pse e lehtë) tregonte se ishte ende aty.
– Andi, përse nuk e pranon që je gej? Pse vazhdon të lëndosh veten?
Kërcitja e dorezës së telefonit ishte e vetmja përgjigje…