Të përballesh me veten
Sapo hyn në adoleshencë nis dhe procesi i formimit karakterial dhe seksual. Në këtë periudhë nisin dhe pëlqimet, ngacmimet e para. Adoleshenca është faza ku individi kupton dhe orientimin e tij seksual. Të jesh gej, lezbike, biseksual apo transeksual është një sfidë, e veçanërisht në Shqipëri. Pyetja e parë që të vjen në mendje kur zbulon orientimin tënd seksual është: “Pse mua? Pse unë jam ndryshe nga shumica e njerëzve?”
Dhe fill pas kësaj pyetje nis karvani i gjatë i kërkimeve, tentativat për të kuptuar si dhe pse ndodh kjo gjë, zhytja në labirintet e pafundme të mendjes tënde e zgjatimi deri tek brezi i tretë familjar, për të kuptuar nëse është diçka që trashëgohet, bartet apo gjësend tjetër. Ky është vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të pyetjeve.
Sfida më e madhe është përballja me veten. Gërmon, kërkon, mohon, tenton të kuptosh atë çfarë je, çfarë ndjen. Arrin madje “të përdorësh” edhe djem/vajza vetëm e vetëm për të kuptuar nëse je vërtet gej/lezbike apo është diçka kalimtare. Del me një djalë/vajzë, puthesh, përkëdhelesh, fle me të, i mbush mendjen vetes se je i/e dashuruar dhe e do kur në të vërtetë të tërheq seksi i njëjtë.
Atëherë shqetësimi shtohet. Nis sërish hetimet por këtë herë thellohesh më shumë. Del para pasqyrës dhe nis i flet vetes, e pyet, e shan, e mohon, e merr me të mirë, ndërkohë që lotët të rrjedhin faqeve. Kalon kështu një periudhë të gjatë kohore, me ulje e ngritje derisa një ditë e quan të humbur luftën me veten.
Del sërish para pasqyrës por këtë herë jo më duke qarë. Këtë herë ngre kokën, i dhuron vetes një buzëqeshje dhe pranon atë që ti je. Pranon qenien tënde, jetën tënde, ekzistencën e gjithçka të bukur që mbart brenda teje.
Në fund ti triumfove, u përballe me njeriun më të rëndësishëm, me Veten, me Unin tënd!
Ja dole mik/e!/ Lorela