Përtej ferrit ka dritë!
Ta dish se sa herë e kam menduar vetëvrasjen. Ti nuk mund ta imagjinosh. Që prej kur zbulova që jam gej, që 13 vjeç nuk kam reshtur së menduari për të vrarë veten. Idea e vetëvrasjes kaloi në mendjen time për herë të parë kur isha në prag adoleshence. Shokët kishin nisur të zinin të dashurat e para, ndërsa unë ëndërroja për princin tim. Mendimi se isha unë gabim, isha unë krijesa më e pafat, më e palumtur, më kot që ekzistonte mbushi qenien time. Të vrisja veten m’u duk zgjidhja më e lehtë. Nuk e bëra. Ndoshta ishte mosha ime tepër e re që nuk më lejoi.
Hera e dytë kur më kaloi në mendje vetëvrasja ishte kur prindërit më mohuan sepse u thashë që isha gej. Të të mohojë prindi yt, ai që të ka lindur e rritur është një traumë më vete. Poshtërimin, torturat, dhembjen gjithçka do ti kisha duruar pa nxjerrë zë vetëm mos ta kisha dëgjuar mamin që me zërin e dridhur më tha: “Ti nuk je im bir!”.
Atë moment vetëvrasja për mua ishte shpëtim. Po të mundja do t’ja kisha marrë jetën vetes fill pas asaj fjalie që ime më shqiptoi. Por sërish nuk munda. Fillova ta urreja veten për guximin e munguar.
Hera e tretë në mendjen time përkonte me frazën e famshme “E treta, e vërteta”. Pasi kisha kaluar disa vite të jetës sime i bullizuar, i fyer, i braktisur, mendoja se kisha prekur fundin. E ndjeja veten të përçmuar nga të gjithë. Kjo për mua ishte një arsye e mirë që ti hiqja vetes të drejtën për të jetuar. Dhe një pasdite shtatori, mend e bëra.
Por sërish nuk di të them kush a çfarë më shpëtoi. Në Zot nuk besoj. Edhe engjëj mbrojtës e di që nuk kam. Të paktën nuk besoj se do të humbnin kohë duke më mbrojtur mua. Megjithatë ja ku jam. I vetëdijshëm tashmë për atë që jam dhe vlej.
Po nga erdhi drita e cila më shpëtoi? Nga buroi ai rrezatim që më pas erdhi e u ndal mbi mua? Drita jemi vetë ne. Kështu si jemi, me defektet, të mirat e problemet që kemi. Unë dola nga errësira në dritë, m’u desh të kaloja përmes ferrit për të arritur tek drita. Ia dola. Më shumë se gjithçka tjetër më ka shpëtuar fakti që jam rritur, kam njohur e pranuar veten kështu siç jam. E dua veten për këtë që jam. Dhe jam mëse i bindur se përtej ferrit, ka dritë.