Përballë pasqyrës

Ana qëndronte e shtangur përpara pasqyrës. Personi që kishte përballë i dukej i huaj. Dy ditë më parë kishte mbushur 42 vjeç. Ishin mbledhur miq e familjarë për të festuar dhe si çdo vit tema kryesore e datëlindjes së saj kishte qenë martesa. Dukej sikur të gjithë ata njerëz nuk ishin aty për të kremtuar datëlindjen e saj por për ta kritikuar, për ta nxitur, për ta udhëzuar, kush më butë e kush më drejtëpërdrejtë për moshën që kalonte dhe martesën që nuk dukej ende në horizont. Datëlindjet e mëparshme, Ana kishte zgjedhur të buzëqeshte, të hidhte e të priste batuta me të ftuarit, të mbyllte një vesh e sërish me buzëqeshje në buzë të trokiste gotën me miqtë.
Kur festa mbyllej e të ftuarit largoheshin njëri pas tjetrit, ajo pasi përcillte të ftuarin e fundit mbyllte derën dhe turravrap hidhej në shtrat e dëneste. Sa e sa herë datëlindjet e saj ishin mbyllur kështu. Sa e sa herë ajo peshë e rëndë që i peshonte në kraharor e i zinte frymën i dukej e rëndë sa një mal. E kështu ndodhi që Ana në datëlindjen e saj të 42- të, zgjodhi të mos dëneste më për fjalët e miqve.
Miqtë po vinin njëri pas tjetrit. Atmosfera po ngrohej ngadalë. Mbrëmja dukej e qetë deri në çastin kur një nga të ftuarit ngriti dolli për datëlindjen e Anës dhe e mbylli me “gjej një djalë të mirë e martohu tani”. Ana ndjeu një lëmsh t’i mblidhej në grykë. Ngriti gotën, kroi zërin dhe duke fiksuar një tablo në mur lëshoi fjalët:
– Faleminderit për urimin! Martesa me një djalë nuk është në planet e mia.
Kaq u desh për ti bërë të pranishmit të gumëzhinin. Ana kuptoi se fjalët e saj ishin një gjysëm e vërtetë e cila duhej plotësuar për të qenë e plotë. Kështu mori zemër dhe nisi një fjalim të shkurtër të cilin e përfundoi duke bërë coming out. Gumëzhima u ndal. Heshtja u ul këmbëkryq në atë ambjent që deri para pak minutash kish qenë festiv. Dukej sikur askush nuk merrte frymë. Nga fundi i sallës erdhi një zë disi i mekur:
– Epo, gëzuar!
Gotat u ngritën sërish por entuziazmi ishte shuar. Ana ndjeu brenda vetes një ndjesi lehtësimi përzier me frikë e drojtje. Të ftuarit filluan të largoheshin një pas një. Tortën se priti askush. Dera e mbyll dhe Ana sërish dënesi në shtrat e vetme, por kësaj here ishte një dënese çliruese.
E nesërmja e gjeti Anën përballë pasqyrës. Ndjehej çuditshëm dhe i dukej se nuk e njihte personin që shihte aty. Por mjegulla filloi të daravitej dhe Ana njohu veten. Ndoshta ishte hera e parë që ajo e deshi veten me gjithë shpirt.