Një ndodhi fëmijërie
Isha në moshë shumë të re kur kuptova se nuk i përkisja aspak trupit djaloshar në të cilin gjendesha. Më pëlqente të qëndroja me motrën, më tërhiqte feminiliteti i saj, truket, fustanet, krehjet. Çdo herë që më shihnin pranë motrës, vëllezërit fillonin nga talljet. Epitetet e frazat si: “çupëlina”, “zogëz”, “mbete pas fustanit të motrës”, etj ishin bërë të zakonshme dhe askujt në familje nuk u bënin më përshtypje.
Vëllezërit e mi bënin pjesë tek ata djem të cilëve ju vihej nofka “harram”. Bënin prapësira, rriheshin me grushta, shanin ndyrë. Një pasdite vere im vëlla teksa dilte nga dhoma, pa e kthyer kokën në drejtimin tim, më tha:
– Bëhu gati se kemi ndeshje me çunat e lagjes tjetër. Për pesë minuta të jesh te fusha.
Ndeshja filloi dhe unë luaja si mbrojtës. Nuk kaloi shumë e mes dy skuadrave plasi një sherr. Vëllezërit u lëshuan me grushte si të harbuar. U bë një mish-mash i vërtetë.
Të gjithë grushtonin e shkelmonin njëri-tjetrin. Vetëm unë isha tërhequr në cep të fushës dhe ndiqja me sy sherrin. Kur nervat ranë e lodhja ua këputi gjunjët fëmijëve, secili mori drejtimin e shtëpisë së tij. Unë qëndroja më këmbë duke pritur vëllezërit për t’u larguar nga fusha. Ata fytyrëskuqur, të gjakosur e me nervat gjemb më bënë me shenjë t’i ndiqja. Ashtu bëra.
Mbërritja jonë në shtëpi u prit me pasthirma e të bërtitura. Vetëm unë qëndroja i heshtur, i pagjakosur e pa asnjë shenjë tjetër dhune në vete. Mamaja e pikasi “pastërtinë” time dhe m’u afrua.
– Po ti? Pse nuk je i gjakosur si vëllezërit? Nuk u bashkove me ta?
Atë çast ndjeva turpin të më mbulonte. Unë, qenia më paqësore në botë duhet të ndjeja turp se nuk isha rrahur si vëllezërit e mi. Nuk dija ç’të thoja. Motra u bë shpëtimtarja ime.
– Epo, Eni nuk është as i fortë dhe as agresiv.
– Po çfarë dreqin është ai? Ai që nuk u del në krahë të vëllezërve? Ça është pra? – ulëriti njëri nga vëllezërit.
Ime motër aso kohe ndoshta nuk dinte ta përkufizonte identitetin tim dhe u mjaftua me fjalët:
– Eni është ndryshe. Nuk është si ju.
Nuk di të them nëse “ndryshe” më lëndoi apo më përkëdheli sedrën. Di që ato çaste ishin shkëndijat e para ku unë e ndjeva time motër në sinkron me veten. Vite më vonë ajo do të bëhej streha ime, vendpushimi im, foleza ku gjeja qetësi për shpirtin tim të lënduar.