Një çast

Janar. I ftohti kishte mbërthyer vendin. Sibora bënte ecejake në oborrin e spitalit. Nëpër faqe i dalloheshin gjurmët e lotëve dhe pagjumësisë. Prej dy ditësh e dashura e saj ishte shtruar në spital. Kishte ndodhur aq befasisht. Një krizë e fortë barku, një dhembje therëse e ulëritëse e kishte zgjuar Siborën nga gjumi. Partnerja e saj qante nga dhembjet. E alarmuar, e trembur dhe me duart që i dridheshin Sibora kishte telefonuar urgjencën. Nuk e kishte menduar ato momente se çfarë do të thoshte nëse do ta pyesnin se kush ishte ajo për të sëmurën. Hipi bashkë me të dashurën në ambulancë dhe vetëm kur mbërritën në spital erdhi në vete. E përmendi nga përhumbja zëri i mjekut:
– Kush jeni ju zonjushë?
Mendja e saj atë çast po ulërinte. “Jam partnerja, e dashura, gruaja!”. Zëri nuk ju bind, doli i zvjargur e i dobët:
– Unë jam, shoqja e ngushtë.
Shenja e padurimit që mjeku bëri ia mblodhi lotët në sy. Me kokën e varur ndiqte lëvizjet e stafit mjekësor. Një nga infermierët i tregoi një karrige dhe në fund shtoi:
– Nëse keni ndonjë numër kontakti të familjarëve të shoqes ju lutem ma jepni sa më shpejt.
“Familjar. Po unë kush jam? Unë që ndaj me të gjithçka, që e kam gjithçka, që e dua përtej vetes, a nuk kam të drejtë të quhem dhe familjar i saj? Pse dreqin askush nuk më njeh?”
Infermieri iu afrua sërish dhe rishtazi e pyeti për kontaktin e ndonjë të afërmi të pacientes. Sibora u përpoq të mblidhte veten dhe gjeti forcën të pyeste si ishte gjendja.
– Jo e mirë, ndaj po ju kërkoj të më gjeni një numër kontakti të familjes së saj. Dikush duhet të marrë një vendim për të sëmurën – tha infermieri.
Ulërima brenda kokës së Siborës gati shpërtheu. “E marr unë. Jam unë këtu. A e di se kush jam unë? Jam personi që ajo dashuron”.
Por sërish u përmbajt. Sibora e njihte ligjin, e dinte se për shtetin nuk ishte askushi për të dashurën e saj. Se nuk kishte të drejtë të merrtë asnjë vendim për të kur ajo nuk ishte në gjendje. Të gjitha këto Sibora i dinte. Nuk mund të reagonte dhe kjo gjë e vriste. Me trishtimin që i lexohej në sy, shqetësimin dhe vuajtjen për personin e dashur, nxori telefonin dhe ndau kontaktin me infermierin. Që nga ai moment askush nuk i dha më informacion për gjendjen e pacientit. Ajo endej nëpër korridor, pa ditur ku të pyeste. Familjarët erdhën, vendosën, dhe për asnjë moment nuk u kujtuan për vajzën që dashuronte vajza e tyre. As nuk e falenderuan për ç’kishte bërë deri më atë çast.
Kur ndjeu shikimet e hidhura mbi vete, rëndesën që shkaktonte prania e saj brenda atij korridori, Sibora pa u ndjerë doli jashtë. E ndau mendjen që për sa kohë e dashura e saj do të ishte në spital, ajo do të qëndronte aty. Mësimeve ua hoqi vizën. Një javë kaloi pa u ndjerë sa në kafen përballë spitalit, sa në oborrin e ngrirë nga i ftohti. Të premten pasdite, teksa qëndronte mbështetur pas murit të spitalit, një djalë 15 – vjeçar iu afrua me drojë.
– Jam Igli, vëllai i Oltës. Unë e di që motra të do. E di edhe që ti e do, shumë. Ke një javë që rri këtu, të kam parë. Kur u zgjua Olta pyeti për ty po mami bëri sikur nuk e dëgjoi.
Sibora ndjeu një ngazëllim në gjoks. I vinte ta përqafonte atë djalosh që mes gjithë atyre të rriturve rastisi të ishte i vetmi që ishte kujtuar për të. Fjalët e djalit se sapo të mundej do ta fuste në dhomën e së motrës ranë në shpirtin e saj si balsam. Atë çast jeta iu duk më miqësore, ajo ndjeu shpirtin ti mbushej dhe e lëshoi veten në krahët e lumturisë së beftë edhe pse e dinte se ai moment nuk do të zgjaste përgjithmonë, se nëse do të ndodhte sërish, sërish asgjë nuk do të ndryshonte, se situata e saj dhe e Oltës do të mbetej e pazgjidhur e se ajo do të shihej thjesht dhe vetëm si shoqja e njeriut që dashuronte.