Në emër të Zotit!
![](https://www.historiaime.al/wp-content/uploads/2023/01/reflection3-960x640.jpg)
Ishte rritur në një familje besimtarësh dhe vite më vonë do ta ndjente mbi vete trysninë që familjarët përdornin mbi të në emër të Zotit. I vogël, ai e imagjinonte Zotin si një gjë të madhe, gjigande, të fryrë, e cila përmes forcës dhe të qenit Zot shihte gjithçka dhe këdo. Jeta e tij shkonte mirë deri kur zbuloi tek vetja diçka për të cilën e kishte të vështirë të fliste me njeri. Atij nuk i pëlqenin vajzat. Nuk ndjehej i tërhequr prej tyre. Kur kuptoi që nuk kishte asnjë interes për gjininë tjetër u mbyll në vetvete dhe kaloi ashtu i strukur vitet e adoleshencës. Rrugën shtëpi-shkollë dhe anasjelltas e bënte thuajse me vrap, i vetëm dhe me kokën ulur. Mundohej të shmangte sa më shumë shikimet e shokëve, mësuesve, shoqeve e veçanërisht shikimin e N-së, djalit që i kishte marrë zemrën.
Netëve, i mbledhur një grusht në shtratin e dhomës së vogël qante në heshtje. Dhe në një prej netëve të shumta që kalonte i vetëm, i erdhi ndërmend Zoti i fëmijërisë. Zoti, i cili dinte dhe shihte gjithçka. Ashtu i pezmatuar, i dëshpëruar dhe i ndezur për hakmarrje ai ju drejtua Zotit me fjalët më të ashpra, më të hidhura. Asgjë nuk ndodhi. Nuk mori përgjigje, as falje, asgjë. Koha kalonte. Ai rritej, kuptonte, mësonte. Erdhi momenti që e vërteta e tij duhet të shihte dritën e diellit. Dhe ai guxoi ta nxirrte të vërtetën e vet nga errësira ku ishte burgosur prej aq kohësh.
Familja pati reagimin më të rëndë dhe për më tepër ia vunë dhe Zotin kundër. E ëma, në emër të Zotit e mohoi, e poshtëroi, dhe po në emër të Zotit i tha se Ai nuk e donte vetëm sepse ishte “ndryshe”. Si ishte e mundur që pikërisht Ai ta krijonte ndryshe nga të tjerët e më pas të tjerët ta akuzonin se e kishte zgjedhur vetë rrugën e tij? Si mund të thoshte e ëma që Zoti nuk e donte kur vetë Zoti e kishte krijuar ashtu? Ç’faj duhet të mbante mbi supe kur ishte krejt pa faj?
Shumë pyetje e munduan për një kohë të gjatë. Ndaj djali vendosi të fliste vetë me Zotin. Do të grindej me të, do të shahej, e nëse do të ishte e mundur edhe do të rrihej, veçse të gjitha këto do ti bënte vetë, pa ndërhyrjen e askujt. Mes tij dhe Zotit nuk duhej të futej askush në mes.
Xheni Shehaj