Maska

Netëve, atëherë kur vetëm shpirtrat e lënduar janë zgjuar, ajo e heq maskën dhe ashtu me sytë e buhavitur qëndron e heshtur. Qetësia që mbretëron përreth të kall datën por asaj nuk i jep asnjë ndjesi. I pëlqen vetmia, nata, errësira dhe i ftohti. I pëlqen të shkëputet nga bota, nga njerëzit që kurrë nuk e kuptuan se kush fshihej në të vërtetë pas maskës. Ishte 16 vjeç kur vendosi për herë të parë maskën që do ta mbante për shumë vite. Ishte aq e re kur kuptoi se bota nuk do ta shihte kurrë si normale, dhe e gjithë kjo vetëm sepse ishte lezbike. Filloi në bankat e shkollës, njësoj si të gjithë historitë e adoleshentëve. Pëlqimi për një shoqe klase, druajtja, hezitimi, mospranimi e më pas mbyllja në vetvete.
Nuk dinte në mund ta quante fat faktin që shoqja nuk e përhapi fjalën në shkollë por e vërteta është se që prej atij reagimi ajo u transformua si njeri. Një muaj pas ngjarjes, pas mendimeve të zymta, lotëve të derdhur, mungesës së oreksit, ëndrrave erotike, një muaj kur gati preku pragun e çmendurisë, ajo në heshtje përgatiti maskën. Dhe ashtu u paraqit deri në përfundimin e studimeve, duke fshehur identitetin e saj. Maska e ndihmonte të krijonte shoqëri, të ndjehej e pranuar, normale, e barabartë, e deri diku edhe e qetë. Por njëkohësisht maska po i krijonte iluzionin se nuk ishte ajo që mendonte se ishte.
Dhe vitet kalonin. Shoqëria zgjerohej, ajo ndjehej në harmoni me botën, miqtë. Por nata sillte të vërtetën dhe e vërteta dhimbte shumë, aq shumë. Natën maska hiqej, lodhja e ditës, aktrimi, dhembja e grumbulluar ktheheshin në një oqean të tërbuar ku dallgët rrëmbenin, thyenin, shkatërronin gjithçka. Kjo ishte jeta e saj, dhembja e saj, gjakimi i saj. Ky ishte kryqi i saj dhe duhej ta duronte. Por a do të mundej? E vërteta, e vërteta nxirrte krye në çdo hap. E vërteta ishte në sytë e saj, në fytyrën e zbehtë, në lotët e derdhur, në shpirtin e trazuar. E vërteta ia prekte plagën, e gjakoste, e lëndonte. Derisa një ditë, ajo e hoqi maskën për ta thyer në njëmijë copa…