Kur fiken dritat

Në pallatin e sime mëje mes shumë familjeve jetonte dhe një grua e vetme. Shkoja rrallë e megjithatë nuk mund të mos më binte në sy ajo grua. Trupmadhe, me flokët e prerë shkurt, flokë të ashpër, të ngritur si gjemba iriqi, me një theks të dukshëm verior, gruaja jetonte e vetme, në një apartament të thjeshtë. E ndeshja nëpër shkallë, përshëndeteshim me mirësjellje dhe bëja tutje paksa me drojë. Kisha dëgjuar për të shumë histori, nga ato më të thjeshtat deri tek ato fantashkencë. Dikush kish hapur fjalë se gruaja nga mesi e lart ishte grua, nga mesi e poshtë ishte burrë. Një tjetër kishte të parapëlqyer fjalën “dele-dash”.
Në një nga ditët e qëndrimit tim tek mamaja u bëra dëshmitare e një episodi të sikletshëm. Kati i dytë i pallatit banohej nga katër familje me një numër të konsiderueshëm fëmijësh secila. Ai kat gumëzhinte në çdo orë të ditës. Tek zbrisja ngeshëm atë mëngjes, para meje vura re tri nga fëmijët që kishin vënë gruan në mes dhe po e pyesnin me mënyrën e tyre fëminore.
– Çfarë je ti, teta? Je burrë apo grua ?
Ndoshta prania ime e sikletosi më tepër gruan. Pa u përgjigjur, dora e saj përkëdheli kokën e njërit prej fëmijëve dhe ndërkohë mori të zbriste shkallët. Kisha mbetur e hutuar mes vogëlushëve. Dëshira për ta ndjekur pas e për ta përqafuar ishte e madhe por këmbët nuk m’u bindën.
Lëviza ngadalë drejt shkallëve. Pas meje dëgjova zërat e fëmijëve që thoshin:
“Kur fiken dritat teta bëhet burrë”.
Vite më vonë do ta kujtoja shpesh gruan që banonte në një pallat me time më. Tashmë e rritur, e aftë për të kuptuar, ndjeja keqardhje që banorët e atij pallati kurrë nuk e kuptuan atë. E respektonin sa për të thënë, si fqinj. Kurrë askush nuk u ndal më gjatë me të, askush nuk u ul të pinte një kafe, ti bënte një vizitë në shtëpi apo të shoqërohej me të pasditeve të verës kur graria dilnin shëtitje në trotuaret që lëshonin nxehtësinë e grumbulluar gjatë ditës. Mungesa e dëshirës për t’u informuar ka qenë dhe mbetet një problem tepër i madh për shoqërinë tonë.
Xheni Shehaj