I mallkuari

Zbulimi se më pëlqenin djemtë shkaktoi tek unë një traumë të madhe. Unë, djali i vetëm i familjes sime isha gej. Tek mendoja zhgënjimin e prindërve, shqetësimin e motrës, fjalët e fqinjëve, miqve, mësuesve, më kaploi një dhembje therëse e më dukej se aq e pat dhe jeta ime. Kisha lindur për të zhgënjyer të gjithë ata që më njihnin e më donin. Në fillim pata ndjenjën e fajit nga e cila nuk u shkëputa dot për një periudhë të gjatë. Mendimi se isha një qenie e gabuar mbushte hapësirat e mendjes sime.
Sa hyja në shtëpi, mbyllesha në dhomë dhe qaja. Vetmia ishte shpëtimi im. Prindërit mezi arrija t’i shihja në sy. Me motrën shkëmbeja ndonjë fjalë të rrallë. E megjithatë të afërmit ia vinin “fajin” adoleshencës, ndonjë dashurie fëminore e cila ma kishte bërë zemrën tejet të ndjeshme. Vetëm unë e dija në të vërtetë nga se vuaja. Të qenit gej për mua, në atë kohë ishte si të më kishin dënuar me vdekje. Ndjeja vitet e mia djaloshare të shkisnin pa u ndjerë dhe më vinte të ulërija. Nga gjithë marazi që kisha mbledhur fillova të shihja vetëm zi.
Mallkoja veten që isha i atillë. E si dënim nisa ta dëmtoja. Gjeja mënyra të ndryshme vetëdëmtimi mjaft që ti shkaktoja vetes dhembje. Dhe dhembja nuk vononte të vinte. Por edhe pse vinte asgjë nuk ndryshonte. Unë vazhdoja të isha i njëjti, i njëjti djalë që pëlqente djemtë. Kaluan muaj dhe dëshira ime për t’u vetëdëmtuar nisi të largohej.
Por ndjesia se isha i mallkuar nuk m’u nda. Në pamundësi për të reaguar nisa të “kapesha” me Zotin. Me atë që më kishte krijuar, që më kishte dënuar të isha i tillë. Në fund të fundit ç’faj kisha unë? Nuk ishte zgjedhja ime, as dëshirë e imja. Një ditë të bukur unë zbulova orientimin tim të cilin në asnjë moment nuk e zgjodha. Epo, përse u dashka të ndjehem keq, të ndihem i mallkuar, i dënuar, ndryshe, për diçka që as kam dhënë mendim, as kam patur gjë në dorë, as që më ka pyetur njeri në dua të jem gej apo jo. Në dreq të gjithë! Momentet e vështira më mësuan ta dua veten, të mos ta lëndoj atë e mbi të gjitha të mos ndihem i mallkuar. Dhe ky ishte mësimi më i vyer për mua.