E dashur ime më! Po hedh në letër frikën time…
Këtë letër e kam shkruar para shumë kohësh me shpresën se ime më a dikush tjetër do ta lexonte në kuriozitetin për të zbuluar se ç’bëja unë në kompjuter tërë kohën.
Sot preferoj ta ndaj me ju, me shpresën se ndoshta dikush mund ta lexojë, mes tyre dhe ime më, e ndoshta diçka ndryshon.
***********************
Nuk është hera e parë që marr mundimin të shkruaj, në letër të hedh frikën time…
Nuk është hera e parë që vetes i servir si dëshmi të asaj ç’ka jam, gërmat e shtypura në tastierë, që i rilexoj sa herë vetja më duket më i fortë nga sa jam…
Shpesh më duket si një ritual i frikshëm ndaj vetes, ku pamëshirshëm e gjuaj me dëshminë e atyre momenteve ku siguria më braktis dhe frika më kaplon.
Frika, ndjesi e barabartë me çastet e vdekjes, të paktën këtë ndjesi kam.
Jo vdekje fizike, shpesh ajo është dhe një shpresë për të lënë pas gjithë trazirën e shpirtit dhe frikën nga nga një tjetër vdekje, ajo e mungesës së njerëzve.
Vdekje nga mungesa e ndjenjës së familjes, e poshtërimit të qënies, së personit…
Vdekje… ajo kur të mohojnë, të shtyjnë e të përbuzin..
Kjo është frika ime, e jo frika të them se kush jam.
Frika se nje ditë, ndonëse sigurisë sime, fuqisë që kam, do të gjendem krejt i vetëm, në harresë të atyre nejrëzve që dua më shumë.
Frikë nga mungesa e zërit tënd, frikë nga mungesa e pranisë së vazhdueshme e perqafimit të njerëzve që më mbushin “gjysmëjetën” me gëzim.
Gjysëm-jetë, kështu mund ta përkufizoj veten…
Një qënie që jeton në dy realitete paralele, të dyja me frikërat e të bukurat e tyre.
Ndoshta një ditë do mund të dish gjithçka mbi mua, të gjitha ato sekrete që t’i fsheh sa herë më pyet: Më thuaj diçka o bir, je kaq i heshtur, nuk më tregon asgjë.
Sa shumë do doja një ditë të t’i thoja, sa shumë do doja të bërtisja fort me shpresën se vetëm kështu do të nxirrja të gjithë vrerin dhe marazin.
Sa herë më thua ngele në kopjuter, ngele në celular, eja të flasim pak. Pa më thuaj, kur do na mbledhesh? E do nëna një nip a mbesë të bukur, të erdhi koha ty por edhe neve të gëzohemi.
Ky është momenti ku mendja më shkon larg, në errësira të pafundme dhe shpirti qan në brendësi kur mallkoj veten dhe Zotin se përse nuk arrij dot të jem i sinqertë.
Fundja e meriton, Nënë, e meriton për jetën që më dhe, për gjirin, për dashurinë e pakushtëzuar…
E meriton për mijërat fjalë të bukura, për besimin kur më mungonte… e meriton se fundja fal dashurisë tënde dhe aftësisë së përkryer si Prind jam ky që jam.
Por kam frike, se ndoshta nuk do të jesh më krenare, nuk do më shohësh më me ata sy dashamirës…
Druhem se ndoshta s’do të jem më Biri yt që të fal gëzimet e sukseseve, urtesisë dhe të mirësisë që i mësove ti dhe Babai.
S’do të jem ndoshta më, Vëllai i mirë…
Sa herë përballë teje kam qëndruar me zërin gati të nxjerr fjalët që Ti s’do doje kurrë t’i dëgjoje…
Sa herë kam preferuar t’ju qëndroj larg, të konsiderohem i pavarur, autonom, por e kam bërë që askush e asgjë të mos cënojnë qetësinë tuaj.
Sa shumë do të doja të të tregoja për herët që kam qarë, për herët që kam qeshur të “gjysmë-jetës” sime sekrete.
Sa herë jam ndjerë i poshtëruar, i prekur i ofenduar, në shkollë, në lagje e madje edhe në shtëpi sa herë rastiste të lëshohej ndonjë batutë për ‘ata si unë’.
Sa herë o Nënë, kam dashur t’i mbroj nga batutat nga humoret e pakripura, sa herë jam ndjerë i ulur dhe i shtrirë nga fjalët e nejrëzve të afërt.
Ata nuk flisnin për mua, unë isha vëllai, kushuriri dhe shoku perfekt…
Por në të vërtetë unë isha aty, dhe ishte kaq evidente që çdo batutë e lëshuar ndaj ‘atyre’ ishte një idiotësi e lidnur nga padija… nga mos njohja e një realiteti krejt tjetër, unë isha aty… por prap isha një “fundërinë”
Duhesha vrarë, djegur, shkërdhyer me tuba a kush e di çfarë tjetër sendi…
Dhe ti o Nënë në mendjen e disave ishe thjesht një e “mjerë”, herë ishe një bushtër, shkaktare e ‘bythqirllikut’ tim, sepse unë isha pjella inçestuale…
Sa herë me vete kam qeshur e kam qarë kur përballë të tilla fantazish makabre, pjellë e mendjeve të sëmura, ndihesh i dobët, i frikësuar… i braktisur…
Sa herë o Nënë të përqafoj, shpresoj që lidhja e mrekullueshme që lidh një nënë e një bir/bijë, si me magji të të servirë të vërtetën…
Fjalet, nuk dalin dot nga goja ime, te vetemet që më ndihmojnë janë gishtat mbi tastierën e kopjuterit…
E vetmja shpresë se një ditë ndoshta kurjoze do arrish të shtypësh një buton e do ti lexosh…
Por edhe këtë e kam frikë… nuk do të jetoja dot pa vështrimin tënd…
E ndonese ti më sheh në një të ardhme të shpejtë me dikë në krah, druaj të të them se nuk do të jetë ajo ç’ka ti pret prej meje…
Druaj, e me druajte do të rroj a do të vdes… e kështu të paktën një ditë do t’ju mbledh në dasmën e përjetshme.
E mendoj shpesh… më mirë vetëm nën dhe se sa i vetëm mbi tokë…
Ti do jesh përherë Mbretëresha ime, dashuria ime a pafund…