Më 17 shtator 2024, parlamenti i Gjeorgjisë miratoi një ligj me synim të kufizojë të drejtat e komunitetit LGBT+. Ligji, që kaloi të gjithë hierarkinë qeveritare dhe të drejtësisë, ka për qëllim “vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve“, por në realitet i hap rrugën pengesave për Paradat e Krenarisë, heqjen e flamurit përfaqsësues të komunitetit LGBT+ në publik, dhe censurimin e filmave apo librave që përfshijnë tema LGBT+.
Partia në pushtet, Georgian Dream, e udhëhequr nga ish-kryeministri Bidzina Ivanishvili, thotë se ky ligj është i domosdoshëm për të mbrojtur standardet tradicionale morale të vendit, ku Kisha Ortodokse ka ndikim të madh. Përveç kësaj, ligji përsërit ndalimin e martesave të gjinisë së njëjtë dhe ndalon operacionet e ndryshimit të gjinisë, gjë që ka ngjallur shqetësim të madh në radhët e aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe komunitetit LGBT+.
Tamara Jakeli, drejtoresha e Tbilisi Pride, ka shprehur shqetësimin e saj për këtë ngjarje, duke thënë se organizata e saj mund të detyrohet të mbyllet.
“Ky është ligji më i tmerrshëm që i ka ndodhur komunitetit LGBT në Gjeorgji,”
ka deklaruar ajo, duke theksuar se ligji do ta bënte pothuajse të pamundur për grupet LGBT+ të vazhdonin veprimtarinë e tyre.
Pavarësisht kundërshtimit, përfshirë edhe nga Presidentja Salome Zourabichvili, e cila është kritike ndaj partisë në pushtet, Georgian Dream ka mjaftueshëm vota në parlament për të kapërcyer një veto të mundshme nga presidentja. Zourabichvili ka paralajmëruar se do të përpiqet ta ndalojë këtë ligj, por pushteti i saj është i kufizuar në këtë çështje.
Kalimi i këtij ligji ndodh pikërisht kur Gjeorgjia përgatitet për zgjedhjet parlamentare më 26 tetor. Georgian Dream ka përdorur retorikë të ashpër kundër të drejtave LGBT+ në fushatën e saj, duke afruar më tej vendin me Rusinë fqinje, e cila ka miratuar ligje të ngjashme në vitet e fundit. Kjo lëvizje ka ngritur shqetësime te vendet perëndimore, veçanërisht pasi aspiratat e Gjeorgjisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian duken gjithnjë e më të pasigurta.
BE ka paralajmëruar se miratimi i këtij ligji mund të dëmtojë shanset e Gjeorgjisë për anëtarësim në bllokun evropian.